Toni Gogu takim me ambasadorin e OSBE-së Michel Tarran, diskutohet Reforma në Drejtësi dhe përdorimi i tepruar i paraburgimit

Politikë | 6 muaj më parë

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, zhvilloi një takim me kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadorin Michel Tarran, ku u rikonfirmua partneriteti i fortë mes institucioneve për çuarjen përpara të reformave në drejtësi dhe sektorin e sigurisë.

Gjatë takimit u trajtuan disa fusha kyçe, si Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë 2024–2030, mbrojtja e viktimave të krimit, rritja e kapaciteteve të SPAK-ut dhe Gjykatave të Posaçme, si dhe mbështetja për Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe Ndihmën Juridike Falas.

Ambasadori i OSBE-së, Michel Tarran, vuri theksin tek rëndësia e vijimit të reformës gjithëpërfshirëse të nisur në vitin 2016. Ai nënvizoi se Prezenca e OSBE-së mbetet e angazhuar dhe do të ofrojë mbështetje aktive për të gjitha përpjekjet që lidhen me konsolidimin e institucioneve të reja të drejtësisë dhe forcimin e sektorit të sigurisë në Shqipëri.

Tarran e konsideroi reformën si një proces kyç për ndërtimin e një sistemi më transparent dhe më të përgjegjshëm, duke siguruar se OSBE do të vazhdojë të jetë një partner i fortë në këtë rrugëtim.

Një tjetër temë e rëndësishme e diskutimit ishte paraburgimi, ku ambasadori Tarran vuri në dukje problematikën e përdorimit të tepruar të tij në Shqipëri dhe rikonfirmoi angazhimin e Prezencës për ta trajtuar këtë çështje në mënyrë gjithëpërfshirëse, në bashkërendim me partnerët dhe donatorët ndërkombëtarë. 

Në një reagim në rrjetet sociale, Prezenca e OSBE-së bëri të ditur se synimi i përbashkët me autoritetet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë është ndërtimi i një sistemi drejtësie më transparent, më të përgjegjshëm dhe më efektiv në Shqipëri.

Ministri Gogu, nga ana e tij, vlerësoi mbështetjen e OSBE-së dhe nënvizoi se prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë mbeten konsolidimi i reformës, forcimi i institucioneve të reja të drejtësisë dhe garantimi i të drejtave të qytetarëve. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme