Tradhti, xhelozi dhe beteja ligjore, historia tronditëse e vrasjes së profesorit të UC Berkeley në Athinë

Një histori e dhimbshme me elemente tradhtie, xhelozie dhe betejash ligjore ka tronditur Greqinë dhe Shtetet e Bashkuara, pas vrasjes së një profesori të njohur në Athinë. Przemyslaw Jeziorski, 43 vjeç, profesor i marketingut në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley, u vra me armë zjarri më 4 korrik, ndërsa po shkonte për të marrë fëmijët e tij. Sipas hetimeve të policisë greke, vrasja lidhet me një betejë të ashpër për kujdestarinë e fëmijëve.
Vrasja ndodhi në periferi të Athinës, në një lagje zakonisht të qetë. Jeziorski u qëllua disa herë nga afër dhe vdiq në vendngjarje, ndërsa autori i maskuar u largua me shpejtësi. Pas një hetimi 12-ditor, policia arrestoi partnerin e ri të ish-gruas së viktimës, i cili pretendoi se e kreu krimin për të parandaluar profesorin që t’i merrte fëmijët. “E bëra të gjithën për [të] dhe fëmijët tanë, në mënyrë që të kishim një jetë normale pa probleme”, citohet ai në rrëfimin e tij për policinë.
Beteja për kujdestarinë dhe rrëfimet kontradiktore
Przemyslaw Jeziorski, me origjinë nga Polonia, dhe ish-gruaja e tij, një shtetase greke, ishin përfshirë në një betejë ligjore për kujdestarinë e fëmijëve të tyre binjakë 10-vjeçarë, të cilët jetonin me nënën e tyre në Greqi. Një ditë para vrasjes, një vendim gjykate i kishte dhënë Jeziorskit të drejtën për t’i marrë fëmijët për një muaj.
Rrëfimi i autorit të dyshuar detajon se ai bleu armën e krimit dhe mori ndihmën e katër bashkëpunëtorëve të tjerë – një bullgar, dy shqiptarë dhe një tjetër person – për ta kërcënuar viktimën. Megjithatë, njëri prej bashkëpunëtorëve ka dhënë një dëshmi kontradiktore, duke pretenduar se ishte ish-gruaja e Jeziorskit ajo që e kishte “organizuar të gjithë ngjarjen”.
Ndërsa i dyshuari kryesor pretendon se partnerja e tij nuk kishte dijeni për planin, policia greke e ka akuzuar ish-gruan për bashkëpunëtore morale, akuzë që ajo e mohon. Identitetet e tyre nuk janë bërë publike për shkak të ligjeve greke.

Reagimi i familjes dhe hapat e ardhshëm
Familja e Jeziorskit është shprehur e shkatërruar, por mirënjohëse ndaj policisë greke për arrestimet. Vëllai i viktimës ka theksuar se shqetësimi kryesor mbetet siguria dhe mirëqenia e fëmijëve, të cilët ndodhen nën kujdestari në Greqi. Familja ka nisur një fushatë online për mbledhje fondesh, me qëllim riatdhesimin e eshtrave të profesorit në Poloni dhe mbulimin e shpenzimeve ligjore.
Të pesë të akuzuarit pritet të paraqiten në gjykatë për të dëshmuar, ku do të vendoset nëse do të mbahen në paraburgim në pritje të gjyqit. Ky rast i pazakontë, me dëshmi kontradiktore dhe implikime të rënda familjare, pritet të shënojë një nga gjyqet me profilin më të lartë në Greqi. CNN
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




