Trafikimi i Trashëgimisë Kulturore, Hammond: SHBA mbështet forcimin e masave kundër këtij fenomeni
Në takimin e organizuar mbi parandalimin e trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore, Zv. ambasadorja amerikane në Shqipëri Kethrin Hammond theksoi mbështetjen e SHBA-ve kundër këtij fenomeni. Ajo theksoi rendësin e veçantë që ka rritja e sigurisë kombëtare në luftën kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë por edhe të drogës, nga grupet kriminale.
“Luftimi i trafikimit të pronës kulturore nuk ka të bëjë vetëm me ruajtjen e trashëgimisë, ai ka rezultate reale për sigurimin e kufijve dhe sovranitetit kombëtar. Kriminelët që trafikojnë në mënyrë të paligjshme trashëgimin kulturore, trafikojnë edhe gjëra të tjera në mënyrë të paligjshme si për shembull drograt e rrezikshme. Këto organizata kriminale minojnë rendin publik. Kur ju forconi kapacitetin tuaj për të mbrojtur trashëgimin kulturore gjithashtu po forconi kufijtë tuaj, institucionet dhe sigurinë kombëtare”, u shpreh Hammond.
Ndërsa zv. ministrja e Turizmit dhe Kulturës u ndal tek nevoja bashkëpunimit midis institucioneve dhe sfidat që hasen për parandalimin e trafikimit të trashëgimisë kulturore.
“Në shumë raste rrjetet që trafikojnë objekte kulturore, arkeologjike, ikona apo vepra arti ose artefakte historike janë të lidhura me forma të tjera të kriminalitetit të organizuar duke përfshirë pastrimin e parave dhe trafikun ndërkombëtar”, tha Marinela Prifti Zëvendësministre e Turizmit dhe Kulturës.
Takimi bëri bashkë përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë të fushës për të diskutuar mbi mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të objekteve kulturore.
Gazetar: H. Mahmutaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




