Trafikuan shtetase nga Uganda me qëllim shfrytëzim prostitucioni, arrestohet “tutori” dhe bashkëpunëtorët
Pesë persona janë vendosur në pranga pasi trafikuan shtetase nga Uganda për qëllime prostitucioni. Pas hetimeve dhe me urdhër të prokurorisë së Fierit përveç 5 personave janë arrestuar edhe 2 shtetaset nga Uganda.
“Në kuadër të hetimeve të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë, u arrestuan pesë persona, dy shtetase nga Uganda, ‘tutori’ dhe bashkëpunëtorët e tyre për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” kryer në bashkëpunim, “Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” kryer në bashkëpunim, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta” kryer në bashkëpunim dhe “Moslëshimi i kuponit tatimor” të parashikuar nga nenet 110/a/2, 115 dhe 25, 114/1 301 dhe 25, 279/2 dhe 25, 180/a/2 dhe 25 të Kodit Penal,.
Pas një hetimi proaktiv disa mujor, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, dokumentoi veprimtarinë e jashtëligjshme të trafikimit të personave të rritur organizuar nga shtetasi O.P. administruar nga shtetësja K.H”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Sipas prokurorisë së Fierit, vajzat e trafikuara së fundmi ishin nga Uganda, të cilat kishin hyrë në vendin tonë në muajin mars 2024 janë rekrutuar fillimisht si kërcimtare “strip dance” dhe më pas duke përfituar nga kushtet ekonomike dhe sociale pranonin kryerjen e shërbimeve seksuale në zonën “prive” të lokalit.
“O.P., duke pasur si qëllim të pengojë zbulimin e së vërtetës, gjatë periudhës së hetimeve pasi ka mbyllur për disa kohë lokalin, ka përdorur shtetasen O.G. si qirramarëse dhe administratore fiktive.
Edhe në këtë rast, shtetasi O.P. përdor një person vulnerabël, një vajzë me probleme familjare e sociale. Bashkëpunëtorja e tij K.H. menaxhonte lokalin, vajzat e punësuara ndërsa paratë e fituara ia dorëzonte organizatorit. Gjatë kontrolleve u sekuestruan 611,000 Lekë, shuma parash në monedha të tjera dhe dy doreza përforcuese grushti metalike”, shkruhet më tej në njoftimin e prokurorisë.
Ndërkaq, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier miratoi kërkesat e Prokurorit dhe caktoi masat e sigurimit “arrest në burg” për organizatorin O.P. dhe bashkëpunëtoren K.H., “detyrim për t’u paraqitur pranë policisë gjyqësore” për O.G. Për vajzat e huaja u caktua “detyrim për t’u paraqitur pranë policisë gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




