Tragjedi në Maliq – Zjarr në një banesë, humb jetën nëna dhe djali 14-vjeçar, në gjendje të rëndë e mitura
Një zjarr i rënë mesditën e kësaj të diele në qytetin e Maliqit ka përfunduar tragjikisht, duke shkaktuar vdekjen e nënës dhe djalit 14-vjeçar dhe duke lënë të plagosur rëndë vajzën e mitur.
Zjarri ka rënë në banesën e shtetasit V.A. dhe si pasojë janë dëmtuar shtetasja M.A. dhe dy fëmijët e saj, të moshës 14 dhe 6 vjeç.
Të tre u transportuan menjëherë në spital për ndihmë mjekësore, por fatkeqësisht nënë e bir kanë humbur jetën. Fillimisht M.A. ka ndërruar jetë në spital, dhe më pas ka ndërruar jetë edhe 14-vjeçari, si pasojë e asfiksisë nga tymi. Ndërsa 6-vjeçarja ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore nën kujdesin e mjekëve.
Ngjarja rreth orës 13:30 në një banesë në bllokun nr. 3 të qytetit të Maliqit.
Shërbimet zjarrfikëse dhe ato të Policisë kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve dhe sigurimin e zonës. Aktualisht, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Maliq / Informacion shtesë
Në vijim të informacionit të dhënë më parë, lidhur me zjarrin e rënë në banesën e shtetasit V. A., në bllokun nr. 3, Maliq, ju informojmë se: Si pasojë e asfiksisë, ka ndërruar jetë dhe 14-vjeçari, ndërsa 6-vjeçarja ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.
Tragjedia në Maliq – Flasin komshinjtë: Familja me kushte të vështira ekonomike, fëmijët në spektrin autik
Pas ngjarjes së rëndë në Maliq, ku humbën jetën nënë e bir si pasojë e asfiksisë nga zjarri në banesën e tyre, kanë nisur të dalin detaje të reja rreth situatës së familjes.
Një nga komshijet, Benereta Pashollari, ka rrëfyer për mediat se familja përballej me kushte të vështira ekonomike, ndërsa të dy fëmijët e çiftit ishin në spektrin autik.
“Ishte familje punëtore, me ekonomi të dobët. Babai punonte, ndërsa nëna kujdesej për dy fëmijët. Bashkia i ndihmonte çdo muaj, merrnin edhe ushqime dhe ndihmë ekonomike. Djali ishte më i madh, vajza më e vogël. Djali ecte, vajza nuk lëvizte shumë. Nëna mundohej me aq sa kishte. Ne të lagjes e ndihmonim, i çonim gjithçka që mundnim. Nuk binte në qafë askujt,” tha ajo.
Pashollari tregoi se fatkeqësisht zjarri ka nisur në dhomën ku ndodheshin fëmijët, të cilët ndoshta pa dashje mund të kenë përfshirë një krevat sfungjeri në flakë, çka prodhoi shumë tym, duke sjellë pasojat tragjike.
“Unë për momentin nuk isha por aty, po ajo ka një krevat sfungjeri dhe ata fëmijët trazonin zjarrin. Ka rënë zjarri aty, kishte djegur sfungjerin dhe dihet që bëri shumë tym, pa flakë. Vajza është hedhur nga dritarja, kurse ata të dy nuk mundën të dilnin. Vajzën e shpëtoi një zonjë kurse djali mbaroi me të ëmën. Doli kjo zonja rastësisht se e mora në telefon për të marrë diçka. Në atë kohë dëgjoi të thirrurat dhe vajza i binte derës. I binte me shkelma. Dëgjoi komshia, doli dhe komshia tjetër dhe pastaj arritën atje ku kanë arritur’, tha ajo” u shpreh ajo.
Një tjetër komshi i familjes Azisllari, ka folur për ngjarjen e rëndë, ndërsa theksoi faktin që familja përballej me kushte të vështira ekonomike.
“Fëmijët me autizëm, nëna ishte mirë. Nëna nuk punonte, vetëm i ati punonte në familje. Ishin në kushte të vështira ekonomike. Nuk di se si ka ndodhur ngjarja. Tani më thanë një familjar. Erdha të pyes se sa pashë zjarrfikësen”, u shpreh ai.
Pamje nga vendngjarja, banesa e shkrumbuar nga flakët


/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




