Tragjedi në Vankuver, 11 të vdekur pasi makina përplasi turmën me njerëz gjatë një festivali

Të paktën 11 persona kanë humbur jetën pasi një burrë përplasi makinën e tij në një turmë njerëzish gjatë Festivalit të Lapu Lapu, një ngjarje kulturore e organizuar nga komuniteti filipinas në qytetin e Vankuverit.
Sipas deklaratës zyrtare të Policisë së Vankuverit, incidenti ndodhi papritur gjatë orëve të pasdites të së shtunës.
“Deri tani, ne mund të konfirmojmë se nëntë persona kanë vdekur pasi një burrë kaloi me makinë nëpër një turmë në Festivalin e Lapu Lapu. Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit nga ky incident tragjik,” thuhet në deklaratë.
I dyshuari, një burrë 30-vjeçar banues në Vankuver, u ndalua në vendin e ngjarjes nga qytetarët që ndodheshin aty dhe më pas iu dorëzua policisë. Policia konfirmoi se bëhet fjalë vetëm për një të dyshuar dhe një automjet të përfshirë. Motivi i sulmit mbetet ende i paqartë, por autoritetet janë të bindura se nuk ka shenja që bëhet fjalë për një akt terrorist.
Këshilltari i qytetit të Vankuverit, Peter Fry, tha se ndjen “dhimbje të thellë” për incidentin, duke e përshkruar si një rast “të paprecedentë në qytetin tonë”.
Reagime të shumta kanë ardhur nga figura të rëndësishme ndërkombëtare. Mbreti Charles dhe Mbretëresha Camilla, përmes një deklarate në llogarinë zyrtare të Familjes Mbretërore, shprehën “pikëllim të thellë” dhe dërguan ngushëllime për të gjithë të prekurit. Edhe Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., tha se ishte “i tronditur” kur mësoi për incidentin dhe shprehu mbështetje për bashkëkombasit e tij në Kanada.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




