Tragjedia me 6 viktima në Zvicër, shqiptarja: Jo defekt teknik, dyshohet se dikush hodhi benzinë në autobusin e transportit publik
Një ngjarje tragjike tronditi Zvicrën pasditen e së martës, më 10 mars, kur një autobus i transportit publik u përfshi nga flakë të mëdha në qendër të qytezës Kerzers, në kantonin e Fribourg-ut. Si pasojë e zjarrit, të paktën 6 persona humbën jetën, ndërsa 5 të tjerë mbetën të plagosur, disa në gjendje të rëndë.
Në një lidhje të drejtpërdrejt për RTSH24, shqiptarja Suela Jorgaqi solli më shumë detaje rreth ngjarjes. Ajo tha se ngjarja dyshohet të jetë akt i qëllimshëm i një personi ndërsa përjashtoi mundësinë e një sulmi terrorist.
“Është një ngjarje shumë e rëndë. Sipas dëshmitarëve, dikush kishte hedhur benzinë dhe kishte djegur edhe veten. Nuk duket të jetë defekt teknik. Aktet terroriste janë përjashtuar, por duke pasur parasysh situatën politike të tensionuar, asgjë nuk mund të përjashtohet,” tha ajo.
Jorgaqi, tha se gjendja e të plagosurve është e rëndë, ndërsa në vend janë shtuar masat e sigurisë.
“Ky është rasti i dytë me djegie në këtë qytet brenda një periudhe të shkurtër, çka ka alarmuar qytetarët. Autoritetet raportojnë se gjendja e të plagosurve është e rëndë dhe identitetet e viktimave dhe të plagosurve ende nuk janë konfirmuar. Forcat speciale reaguan menjëherë në vendngjarje, ndërsa hetimet vazhdojnë. Masat e sigurisë në zonë janë shtuar, ndërsa parlamenti dhe qytetarët janë shprehur të tronditur dhe të shqetësuar nga ngjarja. Autoritetet pritet të mbajnë një konferencë për shtyp në vijim për të dhënë detaje të mëtejshme mbi shkaqet dhe gjendjen e të plagosurve”, tha ajo.
Ngjarja e rëndë është e dyta, pas zjarrit në natën e ndërrimit të viteve në vendpushimin zviceran të skive Crans-Montana që u morti jetën 41 të rinjve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




