Tragjedia në Zvicër, Italia hap dyert e spitalit “Niguarda”, Macron shpreh solidaritet

Europë | 10 muaj më parë

Bilanci i rëndë i shpërthimit në resortin e skive ka vënë në lëvizje qeveritë fqinje. Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, njoftoi se Spitali Niguarda i Milanos, i njohur për ekselencën në trajtimin e djegieve të rënda, ka vënë në dispozicion njësinë e tij speciale për të trajtuar të plagosurit që nuk mund të kurohen dot më në Zvicër.

Autoritetet zvicerane kanë pranuar se njësia lokale e kujdesit intensiv në Valais është plotësisht e ezauruar. Për këtë arsye Lugina e Aostës (Itali) ka vënë në gatishmëri shërbimet e emergjencës për të ndihmuar homologët zviceranë.

Franca konfirmoi se të paktën dy shtetas të saj janë mesin e të plagosurve dhe janë nën kujdes mjekësor.

Mesazhi i Macron

Presidenti francez, Emmanuel Macron, përmes një mesazhi në platformën X, ka shprehur “mbështetjen vëllazërore” për familjet e viktimave dhe shtetin zviceran, duke theksuar se ekipet konsullore franceze janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet në vendngjarje.

Identifikimi i viktimave, ambasadori italian: “Do të duhen javë!”

Identifikimi i 40 viktimave të shpërthimit në barin “Constellation” pritet të jetë një proces i gjatë dhe i dhimbshëm. Ambasadori italian në Zvicër, i cili ka mbërritur në vendngjarje së bashku me stafin e konsullatës së Gjenevës, konfirmoi për mediat italiane se shkalla e dëmtimeve është aq e lartë sa do të kërkohen javë për të nxjerrë rezultate zyrtare.

Sfida e mjekësisë ligjore

Djegiet e rënda e bëjnë të pamundur identifikimin vizual, duke i detyruar ekspertët t’u drejtohen metodave të avancuara:

Analizat e ADN-së- Krahasimi i mostrave gjenetike me familjarët e mundshëm.

Të dhënat dentare- Krahasimi i kartelave mjekësore të personave të zhdukur.

Objektet personale- Ekzaminimi i bizhuterive ose mbetjeve të sendeve që mund t’i përkisnin viktimave.

Njësia e Krizave në gatishmëri

Ministria e Jashtme italiane (Farnesina) ka ritheksuar kompleksitetin e kësaj çështjeje, duke u kërkuar familjarëve të personave të zhdukur durim. Ndërkohë, bashkëpunimi mes autoriteteve zvicerane dhe atyre italiane është i ngushtë për të përshpejtuar çdo procedurë të mundshme mjeko-ligjore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme