Trajnimi për ligjvënësit e rinj demokratë, Berisha: Mos shkelmoni parimet themelore të lirive dhe të drejtave të njeriut

Politikë | 1 vit më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë sot në aktivitetin e Komisionit të Aftësimit dhe Studimeve (KAS), ku u zhvillua trajnimi për deputetët e rinj të PD-së. Në fjalën e tij, Berisha e cilësoi mandatin e deputetit si “një nga ëndrrat më të bukura të jetës” dhe u bëri thirrje të rinjve demokratë të angazhohen me përkushtim në jetën parlamentare dhe në lidhjen e vazhdueshme me qytetarët.

“Realizimi i një ëndrre ndër më të bukurat e jetës suaj është të bëhesh deputet. Shumë funksione mund të mbani gjatë jetës, por si ai i deputetit nuk është asnjë tjetër.”, tha Berisha.

Ish-kryeministri theksoi rëndësinë e Parlamentit si vend formimi për çdo politikan.

“Deputeti ka shansin që në tempullin e Parlamentit të formohet si një orator i shkëlqyer. Nuk ka platformë më dinjitoze se ajo e Kuvendit për të treguar aftësitë tuaja. Parlamenti është universiteti më i shkëlqyer i juaji,” u shpreh ai.

Berisha u ndal edhe te detyra e deputetëve për të ndikuar me ligje dhe nisma në jetën e qytetarëve, duke kërkuar angazhim maksimal në komisionet parlamentare dhe në punën legjislative.

“Kjo kërkon përkushtim të madh ndaj Parlamentit dhe veprimtarisë së tij. Angazhim në komisione, në sallë, kudo,” theksoi ai.

Berisha e cilësoi raportin me zgjedhësit si “thelbësorin dhe më të rëndësishmin” në punën e një deputeti.

“Ata njerëz që ju kanë besuar, duhet t’i përfaqësoni me dinjitet. Fatkeqësia më e madhe e një deputeti është kur shkëput lidhjet me zgjedhësit e tij. Takimet me qytetarët janë të pazëvendësueshme. Asgjë nuk duhet ta shkëpusë deputetin nga elektorati që e ka votuar”, tha ai.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Berisha u shprehu deputetëve të rinj besimin se ky trajnim do të shërbejë si bazë për ndërtimin e një karriere të denjë politike brenda Partisë Demokratike dhe institucioneve të vendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme