“Transaksioni i gabuar”/ Zhvatën paratë e klientëve të bankës, policia jep detaje për operacionin: Mbi 300 mijë euro dhe 92 mijë dollarë të vjedhura përmes falsifikimit dhe ndërhyrjeve në sistemin kompjuterik

Aktualitet | 5 muaj më parë

Policia e Tiranës ka dhënë detaje të reja për operacionin “Transaksioni i gabuar” ku në bashkëpunim me Prokurorinë ka ekzekutuar masa sigurie ndaj 11 punonjësve të një banke të nivelit të dytë, të dyshuar për vjedhje të fondeve të klientëve përmes falsifikimit të dokumenteve dhe ndërhyrjeve në sistemin bankar.

Sipas hetimeve, punonjësit kanë përvetësuar gjithsej 309.740 euro dhe 92.000 dollarë nga llogaritë e dy klientëve përmes falsifikimit dhe ndërhyrjeve në sistemin kompjuterik. Në pranga kanë përfunduar drejtori dhe zëvendësdrejtori i filialit, ndërsa pesë punonjëse të tjera janë vendosur në arrest shtëpie. Katër punonjës janë pezulluar nga detyra, ndërsa një punonjëse është shpallur në kërkim.

Të dyshuarit akuzohen për veprat penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

NJOFTIMI I POLICISË

Tiranë/Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizon në drejtimin e Prokurorisë, operacionin e koduar “Wrong Transaction”.

Ekzekutohen masa sigurie për 11 punonjës në një bankë të nivelit të dytë, të cilët nëpërmjet falsifikimit dhe ndërhyrjeve në sistemin kompjuterik, iu vodhën 2 klientëve, 309 740 euro dhe 92 000 dollarë. Shpallet në kërkim 1 punonjëse.

Në kuadër të operacionit “Wrong Transaction”, pas një hetimi proaktiv rreth kallëzimeve të 2 shtetasve, kryer nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, u ekzekutuan këto masa sigurie:
-masa “Arrest në burg”, për shtetasit A. K., 33 vjeç dhe G. H., 38 vjeç, banues në Tiranë, përkatësisht drejtor dhe zëvendësdrejtor i një filiali banke të nivelit të dytë;
-masa “Arrest në shtëpi”, për shtetaset G. B., 42 vjeçe, D. D., 24 vjeçe, O. K., 24 vjeçe, R. S., 27 vjeçe dhe Zh. B., 26 vjeçe, banuese në Tiranë, të gjitha punonjëse shërbimi në këtë bankë;
-masa “Pezullim i ushtrimit të detyrës a shërbimit publik”, për shtetasit E. Q., 47 vjeçe, I. D., 25 vjeçe, E. K., 38 vjeçe dhe B. M., 25 vjeç, banues në Tiranë, të gjithë punonjës shërbimi në të njëjtën bankë.

Në vijim, u shpall në kërkim shtetasja B. N., 25 vjeçe, gjithashtu punonjëse shërbimi, për të cilët është caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Punohet për kapjen e saj.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, duke shpërdoruar detyrën respektive, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë ndërhyrë në sistemet bankare të 2 klientëve në bankë, për të vjedhur nga llogaritë e tyre, 309 740 euro dhe 92 000 dollarë në total.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme