“Trashëgimia Katolike”- 40 studiues prezantojnë botimin dy gjuhësh kushtuar rrënjëve të katolicizmit

Kulturë | 11 muaj më parë

40 studiues, klerikë, historianë të artit dhe intelektualë nga Shqipëria, Kosova, diaspora dhe qendrat akademike europiane kanë përmbledhur kërkimet e tyre në vëllimin e ri “Trashëgimia Katolike e Shqipërisë”. Botimi u promovua në ambientet e Kishës Katolike, në prani të figurave të njohura të kulturës dhe jetës fetare.

Arqipeshkvi i Tiranë–Durrësit, Arjan Dodaj, e cilësoi këtë vëllim si një punë që “plotëson një mungesë të ndjeshme dhe na rikthen tek identiteti, rrënjët dhe kontributi që katolicizmi ka dhënë përgjatë shekujve”.

“Prezantojmë një vëllim që dëshiron të jetë fryt, shenjë dhe dëshmi e këtij viti të shenjtë për Kishën dhe popullin tonë. Ky vëllim mbi “Trashëgiminë Katolike”, ishte një vëllim që mungonte e na mungonte, jo vetëm thjesht Kishës Katolike, por ne të gjithëve“, deklaroi Arqipeshkvi Dodaj.

Në 220 faqe, libri sjell një panoramë të gjerë mbi pasurinë shpirtërore, rrënjët historike të katolicizmit, objektet e kultit dhe rolin që feja ka luajtur në periudha të ndryshme, përfshirë personalitetet e saj më përfaqësuese.Publikimi dygjuhësh, në shqip dhe anglisht, vjen në kuadër të Vitit Jubilar të Shpresës dhe në përkujtim të 1700-vjetorit të Koncilit të Nikesë, realizuar nga Arqidioqeza Metropolitane Tiranë–Durrës në bashkëpunim me Organizatën Argjiro.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme