Trazira në Irlandën e Veriut pas incidentit në Belfast, 12 policë të lënduar dhe 16 të arrestuar

12 oficerë policie u lënduan dhe 16 persona u vunë në pranga gjatë natës së dytë të trazirave në Irlandën e Veriut, pas incidentit në Belfast, ku një shtetas sudanez goditi me thikë një qytetar, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Pjesa më e madhe e trazirave u përqendrua përgjatë një rruge në rrethinat e Belfastit, ku forcat e rendit përdorën ujë për të shpërndarë një turmë protestuesish, disa prej të cilëve hodhën sende ndaj oficerëve të policisë dhe i vunë zjarrin koshave të plehrave.
Aktet e dhunës në protesta po vijojnë, pavarësisht se agresori është vënë nën akuzë për vrasje të mbetur në tentativë. Familjarët e viktimës janë shprehur se nuk dëshirojnë që tragjedia që u ndodhi të përdoret për të përçarë njerëzit apo për të nxitur armiqësi.
Sekretari britanik i shtetit për Irlandën e Veriut, Hilary Benn, dënoi ato që i quajti akte huliganizmi racist që u panë pas sulmit në Belfast. Duke folur për Sky News, Benn bëri me dije se kishte pasur raportime se po ndaloheshin automjete për t’u pyetur qytetarët që ndodheshin në to se çfarë kombësie kishin, dhe se kjo ishte diçka plotësisht e papranueshme.
Edhe organizatat e bizneseve nga e gjithë Irlanda e Veriut dënuan trazirat, duke mbështetur njëkohësisht kontributin që punëtorët migrantë japin në ekonominë e vendit.
Pamjet e dhunës rrezikojnë dëmtimin e reputacionit që kemi ndërtuar si një vend që mirëpret ata që vijnë për të jetuar, punuar dhe investuar, në një kohë kur po përpiqemi të tërheqim turistë, talente ndërkombëtare, investime dhe të rrisim standardet e jetesës. Incidente të tilla krijojnë dëm të panevojshëm për komunitetet lokale, shkruhet në një deklaratë të përbashkët të këtyre organizatave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




