Tre gjeneralë të rinj i shtohen lidershipit të Forcave të Armatosura, Vengu: Profesionistë dhe shërbyes të dedikuar ndaj uniformës

Aktualitet | 9 muaj më parë

Në mjediset e Shtabit të Përgjithshëm u zhvillua ceremonia e gradimit të tre gjeneralëve të rinj të Forcave të Armatosura.

Grada madhore “Gjeneral Brigade”, me dekret të presidentit të Republikës Bajram Begaj, iu akordua kolonelëve Razije Mehmeti, Fatmir Neziraj dhe Edmond Voci, në vlerësim të kontributit të tyre në drejtimin dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura.

Në ceremoni morën pjesë ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, si dhe drejtues të tjerë të lartë ushtarakë dhe civilë.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu u shpreh se tre gjeneralët e rinj që iu shtuan niveleve drejtuese të Forcave të Armatosura, përfaqësojnë tre rrugëtime të veçanta në forcë dhe tre profesionistë të dedikuar ndaj uniformës dhe Atdheut.

“Niveleve drejtuese të Forcave të Armatosura i shtohen sot 3 gjeneralë të rinj. Tre rrugëtime të veçanta në forcë, tre profesionistë dhe shërbyes të dedikuar ndaj uniformës dhe Atdheut. Suksese në këtë përgjegjësi të re: Gjeneral brigade Razije Mehemeti, Gjeneral brigade Fatmir Neziraj, Gjeneral brigade Edmond Voci. Me përkushtimin tuaj t’i shtoni vlera Forcës dhe të shërbeni si shembull frymëzimi për ushtarakët e rinj!”, shkruan Vengu.

Gradimi i tre gjeneralëve konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve drejtuese të Forcave të Armatosura dhe në vijimin e procesit të modernizimit të tyre.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme