Tremujori i III/ Humbjet në rrjetin energjetik u ulën me 5.1%

Investimet në sektorin energjetik kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e performancës së furnizimit me energji për konsumatorët, ndërsa humbjet teknike dhe jo teknike janë ulur.
Në tremujorin e tretë të këtij viti, sipas raportit mbi “Bilancin e energjisë elektrike”, publikuar së fundmi nga Instituti i Statistikave (INSTAT) humbjet në rrjet arritën vlerën 325 GWh nga 342 GWh, duke shënuar kështu një rënie me 5.1%. Humbjet në transmetim, sipas INSTAT, kanë rënë me 5.4% ndërsa humbjet në shpërndarje kanë rënë me 3%.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se humbjet teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 3%, ndërsa humbjet jo teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 8.4%, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2019.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) njoftoi pak kohë më parë se niveli i humbjeve nga 45% në vitin 2013-n, zbriti në 21.7% në fund të vitit 2019, ndërsa niveli i arkëtimeve në këtë hark kohor thuajse është dyfishuar.
Krahasuar me vitin 2018, humbjet në rrjet ranë me 2.2%.
Referuar statistikave në vitin 2013, OSHEE arrinte të mblidhte vetëm 38 % të energjisë së konsumuar, ndërsa sot kjo shifër shënon 65% të energjisë së shpërndarë në rrjet.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




