“Tresh”, një histori tradhtie/ Çfarë tha i dashuri Frensit pasi dëgjoi këngën e Fest64?
Frensi Revania vjen për të dytin vit me radhë si konkurrente në Festivalin e Këngës në RTSH.
Në një intervistë për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut, këngëtarja tha se këtë herë prezantohet me një këngë që i përshtatet vokalit të saj. “Inis Neziri më mori në telefon dhe më tha që kam një material për ty, i cili mendoj se të shkon shumë. Mua më pëlqen shumë si këngë. Vij me një emocion tjetër. Në qoftë se vjet kam qenë pak më jashtë karakterit tim dhe guxova pak më shumë, sivjet jam brenda kornizave të mia. Kënga është më e vështirë vokalisht”.
“Tresh”, me muzikë të Inis Nezirit dhe me tekst nga Panda, flet për një trekëndësh dashurie. “Është një tekst shumë i bukur. Kap një tematike që e shoh shumë shpesh në përditshmëri, e shoh kudo tradhtinë”, tregon Frensi, e cila e pyetur nëse ka qenë ndonjëherë pjesë e një trekëndëshi të tillë, ajo shprehet: “Jo, nuk e kam përjetuar. Në marrëdhënien që unë jam, nuk ka një të tretë. U bë gati një vit dhe jemi shumë mirë bashkë. Mendoj se duhen rikthyer çiftet që kanë respekt dhe dashuri për njëri-tjetrin”.
Këngëtarja 22-vjeçare zbulon se çfarë tha i dashuri pasi dëgjoi këngën. “Ki kujdes çfarë thua në intervista. Thuaj që nuk e ke shkruar ti tekstin (qesh). Duke qenë se është në fushën e artit, mendon se kjo këngë më përshtatet më mirë vokalisht. Unë vij me një frymë të re, me një emocion të ri, dhe mezi pres ta këndoj live në skenë”.
Kompozitorja e këngës, Inis Neziri, prezantohet në garën e Fest64 edhe si këngëtare, por mes të dyja artisteve nuk ka vend për xhelozi. “Jemi artiste të dyja. E vlerësoj faktin që Inisi edhe shkruan. Unë kam dashur për një kohë të gjatë të shkruaj por akoma nuk e gjej dot mënyrën se si të shkruaj në shqip. Është gjëja më e vështirë”.
Mami i Frensit ka qenë e para që e ka dëgjuar këngën. “Mami është fansja ime më e madhe. Nuk të lë as ta mbarosh këngën, të merr në telefon për ta dëgjuar. Më tha ‘më në fund një këngë që të përshtatet 100% vokalisht’”, përfundon këngëtarja.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




