“Trialog”- Deputeti Xhaferri akuza për menaxhimin e situatës: Përmbytja çdo dy muaj nuk është normale, dëmet janë kolosale

Aktualitet | 10 muaj më parë

Situata e përsëritur e përmbytjeve në vend dhe pasojat e rënda ekonomike që ato lënë pas, kanë qenë në fokus të diskutimit në emisionin “Trialog” në RTSH. I ftuar në panelin e drejtuar nga Alba Alishani, deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka ngritur shqetësimin për frekuencën e lartë të këtyre fenomeneve, duke e zhvendosur vëmendjen nga “tërbimi i natyrës” te mungesa e masave parandaluese.

Sipas ligjvënësit demokrat, fakti që përmbytjet po ndodhin me një periodicitet thuajse dymujor, dëshmon për një dështim në mirëmbajtjen e infrastrukturës mbrojtëse.

Mungesa e masave dhe dëmet ekonomike

Xhaferri theksoi se dëmet ekonomike janë kolosale dhe se fatkeqësitë nuk mund të justifikohen më vetëm me faktorët natyrorë. Ai renditi një sërë problematikash teknike që, sipas tij, rëndojnë situatën, si mosfunksionimi i sistemit kullues.

“Edhe nëse janë natyrore duhet që të merren masa. Nuk është normale që nuk pastrohen kanalet kulluese, nuk merren masa për shtimin e zonave të bonifikuara dhe mbajtja në punë e hidrovoreve,” deklaroi Xhaferri.

Sipas deputetit, edhe nëse natyra është e egër, ndërhyrja njerëzore dhe mirëmbajtja e duhur do të lehtësonin ndjeshëm përmasat e tragjedisë për banorët.

Duke dashur të shmangë retorikën politike në kohë krize, Xhaferri saktësoi se qëllimi nuk është përfitimi politik, por kërkimi i llogarisë për një problem sistemik.

“Nuk jam te njerëzit që nga fatkeqësia natyrore të ndërtoj kapital politik, por që çdo dy muaj ndodh kjo, nuk është normale. Pas çdo përmbytjeje nuk kemi asnjë përgjegjësi,” përfundoi deputeti i PD, duke kërkuar reagim institucional përballë situatës së rënduar hidrike në vend.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme