“Trialog” në RTSH 1- Debati për Tiranën, Bardhi akuzon Presidentin për servilizëm dhe shkelje kushtetuese: Begaj, ministër i Ramës në presidencë

Politikë | 1 vit më parë

Zhvillimet rreth shpalljes së zgjedhjeve të pjesshme lokale në 6 bashki të vendit, si dhe situata e vakantë e Bashkisë së Tiranës, kanë qenë në qendër të emisionit “Trialog” në RTSH 1, nën moderimin e Alba Alishanit. I ftuar për të dhënë qëndrimin e opozitës ishte kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.

Në studio, ku gjendeshin edhe analistët politikë Lorenc Vangjeli, Preç Zogaj dhe Arion Sulo, u komentua dinamika e kërkesës së Ramës drejtuar kreut të shtetit për nisjen e procesit zgjedhor.

Akuzat ndaj Ramës dhe ngërçi kushtetues

Sipas Bardhit, Bashkia e Tiranës duhej të kishte shkuar në zgjedhje menjëherë pas arrestimit të ish-Kryetarit, Erion Veliaj. Megjithatë, sipas tij, “forma me të cilën zgjodhi qeveria të vepronte – duke u fshehur pas Këshillit Bashkiak – e ka futur procesin më shumë në paqartësi kushtetuese sesa në një ngërç ligjor”.

Bardhi insistoi se argumenti për shkarkimin e Veliajt për “mungesë në detyrë” është thellësisht i gabuar, pasi Këshilli Bashkiak hyn në lojë vetëm për mungesë të kryetarit për tre muaj.

“Rama zgjodhi rrugën duke u fshehur pas Këshillit Bashkiak, që është e vetmja procedurë ku hyn në lojë Këshilli Bashkiak,” u shpreh Bardhi.

Ai nënvizoi se veprimet e fundit injorojnë Kushtetutën.

“Nëse i qëndrojmë Kushtetutës duhet të presim 3 ose 4 muaj, aq sa është koha normale e shqyrtimit të ankimimit, që të shpallen zgjedhjet e parakohshme në Tiranë,” argumentoi ai.

Bardhi: Presidenti, “Ministër i Ramës”

Pika kryesore e qëndrimit të Bardhit ishin akuzat direkte ndaj Presidentit Bajram Begaj, të cilin e quajti “vartës” i Kryeministrit dhe një “ministër të Ramës”.

“Presidenti ka mbyllur sytë për shkeljet kushtetuese të mazhorancës të denoncuara nga opozita dhe që u gjetën si shkelje nga Gjykata Kushtetuese,” theksoi Bardhi.

“Presidenti është një ministër i dërguar nga Rama në Presidencë. Është vartës i Ramës. Begaj madje e vë në siklet Ramën me servilizmin e tij,” akuzoi kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, duke nënvizuar se kreu i shtetit nuk është mbi palët.

Bardhi shprehu skepticizëm se Presidenti do të veprojë në përputhje me Kushtetutën.

“Nuk pres që Presidenti të veprojë në përputhje me Kushtetutën. Nëse Rama s’do kishte marrë garancitë e Presidentit nuk do kishte dërguar kërkesën për zgjedhje të parakohshme në Tiranë,” përfundoi ai analizën e tij.

Qëndrimi i opozitës: Jo bojkot

Megjithatë, pavarësisht kritikave ndaj procesit dhe vendimeve të mundshme jo-kushtetuese nga Kreu i Shtetit, Bardhi konfirmoi se opozita nuk do të bojkotojë zgjedhjet.

“Vendimi i Presidentit, që mund të jetë jo kushtetues, mund të krijojë debate brenda PD-së, por ne nuk bojkotojmë,” tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme