“Trialog” në RTSH, Beci: Veprimet e SPAK për pronat në Zvërnec dhe ndikimi te investimi strategjik

Aktualitet | 5 muaj më parë

Në një analizë mbi zhvillimet e fundit rreth çështjes së pronave në zonën e Zvërnecit dhe ngrirjen e llogarive bankare, avokati Eugen Beci, i ftuar në emisionin “Trialog” me moderatoren Alba Alishani, ka theksuar rëndësinë e verifikimit të legjitimitetit të titujve të pronësisë.

Sipas Becit, çështja nuk duhet vlerësuar bazuar në përmasat e investimit, por në përputhshmërinë ligjore të statusit të territorit.

Avokati Beci argumentoi se për investimet strategjike, veçanërisht në zonat e mbrojtura, hapi i parë është gjithnjë verifikimi i prejardhjes së tokës.

“SPAK ndihmon strukturat shtetërore për të parë se si është marrë toka, bën verifikime se është marrë me kompensim prone, me blerje apo si tokë bujqësore që është pak vështirë të ndodhë sepse është afër bregdetit,” u shpreh ai.

Beci theksoi se prokuroria e posaçme ka rolin kryesor në hetimin e transaksioneve nëse toka rezulton se ka kaluar nga tokë bujqësore në titull pronësie për zhvillim, duke shtuar:

“Në rast se kemi falsifikime të marrjes në pronësi të tokës, të shitblerjes, nëse kemi falsifikime, këtë hetim vetëm prokuroria mund ta bëjë.”

Duke u ndalur te masa e ngrirjes së llogarive bankare, Beci sqaroi se kjo është një procedurë që kërkon vendim gjyqësor me kërkesë të prokurorisë. Ai vuri në dukje një dallim të rëndësishëm: nëse hetimet zbulojnë parregullsi në dokumentacionin e shitblerjes së tokës, kjo nuk reflekton domosdoshmërisht mbi integritetin e investitorit, por mbi vlefshmërinë e titullit të pronës.

Pavarësisht kësaj, pasojat për projektin janë të menjëhershme. Siç nënvizoi Beci:

“Këto masa për momentin e bëjnë të pamundur vijimin e investimit.”

Në përfundim, avokati bëri me dije se nuk ka ende një qëndrim zyrtar nga ana e SPAK-ut mbi detajet e këtij procedimi, duke mbetur në pritje të zhvillimeve të mëtejshme hetimore që do të përcaktojnë fatin e mëtejshëm të zonës së Zvërnecit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme