“Trialog“ në RTSH, Zogaj: Kushdo që zëvendëson Dumanin nuk bën dot hapa pas, standardi është vendosur

Aktualitet | 11 muaj më parë

Gara për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) nuk është thjesht një ndryshim emrash, por një test për vazhdimësinë e institucionit më të rëndësishëm të drejtësisë në vend. Kjo ishte tema e diskutimit në emisionin “Trialog” në RTSH, drejtuar nga Alba Alishani, ku analistët Preç Zogaj, Lorenc Vangjeli dhe Arion Sulo zbërthyen prapaskenat e këtij procesi.

Sipas analistit Preç Zogaj, frika për një zbehje të ritmit të SPAK pas largimit të Altin Dumanit është e paarsyeshme, pasi standardi tashmë është vendosur dhe “kthesa prapa” është e pamundur.

Zogaj vlerësoi lart kandidaturat në garë, duke theksuar se cilido që të zgjidhet, do të gjejë një terren të shtruar nga paraardhësi. “Ai (Dumani) e ka prezantuar SPAK-un që punon në grup. Nga Dumani janë vendosur kuota frymëzuese për të gjithë ata që do e pasojnë. Ai ka lënë një trashëgimi të vyer,” tha Zogaj.

Sipas tij, tre vitet e fundit shënuan momentin kur SPAK filloi të shkruajë histori, duke thyer mitin e pandëshkueshmërisë me kredon “askush mbi ligjin”.

Analisti Zogaj argumentoi se presioni i publikut dhe struktura e ngritur e bëjnë të detyrueshme për kreun e ri jo vetëm ruajtjen e standardit, por edhe avancimin e tij.

“Pasuesi nuk mund të bëjë hapa pas. Ai që do zgjidhet është pjesë e këtij ekipi. Jo vetëm do ruhen arritjet e deritanishme, por do të ketë edhe arritje të reja,” parashikoi Zogaj, duke shprehur besim te profili i prokurorëve që kanë hyrë në garë për të marrë stafetën e drejtimit të SPAK.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme