Trialog – Sulo: Dumanit s’iu bënë pyetjet e duhura. Zogaj: Duhej folur me fakte konkrete. Vangjeli: Strasburgu do rrëzojë shumicën e arrestimeve
Raportimi i tensionuar i kreut të SPAK, Altin Dumani, në Kuvend ka ndezur debatet në emisionin “Trialog” në RTSH, ku analistët ranë dakord se në atë seancë deputetët nuk i drejtuan pyetjet e rëndësishme Dumanit dhe nuk adresuan raste konkrete që lidhen me shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë hetimeve të zhvilluara nga SPAK.
Analisti Arjon Sulo analizoi situatën në të dy krahët politikë të Kuvendit, ku tha se PS nuk komenton punën e SPAK pa urdhër të kryeministrit Rama, ndërsa në rastin e PD-së, opozita i “tejkaloi detyrat e saj” lidhur me sulmet dhe etiketimet ndaj Dumanit. Megjithatë, Sulo shtoi se as PS dhe as PD nuk ishin në nivelin e duhur gjatë raportimit të SPAK.
“Pse them unë “nuk duam” apo “mosfunksionimi”, ose “të mos bësh detyrën”? PS ka marrë urdhër nga kryeministri që askush të mos flasë për SPAK, dhe ky urdhër është në fuqi dhe varet se si e ka stinën e marrëdhënies me SPAK-un. Aty është marrë telefoni dhe janë shantazhuar me çështje private, intime. Ç’lidhje kanë këto? Është hapur arkiva para 20 vitesh. Mazhoranca nuk flet pa Ramën.
Krahu tjetër e ka të qartë qëndrimin. PD nuk ishte në nivel, ishte një shfaqje e shëmtuar. PD e ka të kaluarën dhe e ka të afishuar qëndrimin për SPAK-un, dhe nuk kemi ç’presim më nga ajo. Ata e kanë tejkaluar detyrën, pasi nëse e trajton si vegël të Ramës, atëherë në ironi e kaluan detyrën.
Edhe vetë Dumani nuk ishte në normalitet, e aq më pak në shpjegim. Ishte hera e fundit, detyrat, presioni, një shfaqje me maska të sforcuara nga të gjitha palët. Task-forca për zgjedhjet e SPAK ishte një dëshmi jashtëzakonisht e madhe; vetëm për atë nuk duhet folur”, tha Sulo.
Edhe Preç Zogaj u shpreh se çdo akuzë duhet të ketë referenca konkrete për raste të veçanta dhe se debati duhet të mbështetet mbi fakte, jo interpretime.
“Unë nuk kam pasqyrë magjike që të them: “Rama e urdhëroi” apo “jo kështu apo ashtu”. Unë kam pasqyrë logjike kur them se publiku kërkon informacion përmes një ballafaqimi konkret mes SPAK-ut dhe Parlamentit lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut. Unë nuk e di se çfarë niveli arrin kjo shkelje, dhe kjo kërkon ballafaqim të lartë. Ata kanë tagër ta thonë: “Dumani, ke marrë celularin e filanit dhe ke shkelur këtë ligj.” Duhen referenca konkrete për raste konkrete. Unë i shoh në detyrë ata dhe duhet folur me fakte”, tha Zogaj.
Nga ana tjetër, analisti Lorenc Vangjeli tha se shumica e arrestimeve nga SPAK janë bërë në shkelje të ligjit dhe se ato do të rrëzohen të gjitha kur të shqyrtohen në instancat përkatëse.
“Të gjitha arrestimet e bujshme nga SPAK do kthehet të gjitha nga Strasburgu herët a vonë. M’u kujtua në këtë seancë një seancë e vitit ’91 për vrasjet e 2 prillit në Shkodër. Salla u trazua dhe Gramozi, teksa raportonte, iu drejtua dikujt: “Do pushosh apo të filloj me ty?” Nëse do ta kishte bërë këtë Dumani, ndoshta do të ishte pak më i çliruar, mund ta vendoste qetësinë në sallë, majtas dhe djathtas”, tha Vangjeli.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




