Tropoja bashkëpunim me komuna në Gjermani, synohet binjakëzim dhe tërheqje investitorësh për turizmin

Aktualitet | 5 muaj më parë

Vite më parë, kur shërbente si konsull i Kosovës në Vjenë, diplomati Imer Lladrovci nisi hapat e bashkëpunimit mes bashkive të Shqipërisë dhe atyre të Austrisë. Thotë se njëri ndër bashkëpunimet e para ishte edhe pjesëmarrja e nxënësve të gjimnazit të Kukësit në një olimpiadë sportive në Vjenë.

“Një nga gjimnazet e Kukësit ka marrë pjesë në një aktivitet të quajtur Olimpiada në Melk të Austrisë. Ka qenë një nga shkollat që ka fituar më shumë medalje në fushën sportive”.

Së fundmi po synon ndërmjetësimin e Bashkisë Tropojë me komuna në Gjermani, duke i konkretizuar me vizita të ndërsjella.

“Ashtu siç ka ndodhur me Kukësin, shpresoj që e njëjta gjë të ndodhë edhe me Bajram Currin. Shpresoj shumë që kryetari Biberaj të vijë për vizitë dhe të vazhdojë ato ura bashkëpunimi që kemi pasur mes Batit të Bergut dhe shtutarëve”.

Kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexhë Biberaj, ka shprehur gatishmërinë për konkretizimin e marrëveshjeve.

“Jemi në fazën përgatitore të dokumentacionit dhe besojmë se shumë shpejt projekti do të konkretizohet me nënshkrimin e marrëveshjeve”.

Biberaj thotë se në këto komuna e bashki janë edhe shumë emigrantë nga Tropoja, të cilët po interesohen të investojnë në Tropojë.

“Djemtë tropojanë po kërkojnë të vijnë dhe të investojnë në pronat e tyre. Ne do të bëjmë çmos që t’u japim mundësinë të vijnë e të punojnë, në mënyrë që Tropoja të kthehet në një destinacion turistik edhe më të fortë, siç ka filluar tashmë të bëhet”.

Diplomati Lladrovci thotë se mërgata shqiptare nuk është ajo e dikurshmja, por me një aktivitet e kontribut në të gjitha sferat e shoqërisë.

Më herët, Bashkia e Kukësit përfitoi mbështetje materiale në mjete e makineri për shërbimin e pastrimit dhe menaxhimit të mbetjeve nga Bashkia e Lübeck-ut në Gjermani, falë binjakëzimit të dy bashkive.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme