Trump i hap rrugë sanksioneve ndaj Rusisë, DASH miraton në parim shitjen e pajisjeve ushtarake për Ukrainën

Amerikë | 26 minuta më parë

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi Kongresin se ka dhënë miratimin paraprak për t’i shitur Ukrainës pajisje ushtarake me vlerë 2.68 miliardë dollarë për përmirësime të zhvillimit të mbrojtjes ajrore dhe pajisje e shërbime të lidhura me to. Sipas DASH, Kievi ka kërkuar të blejë pajisje ushtarake, duke përfshirë disa lloje raketash, sisteme lëshimi, radarë kundër dronëve dhe rimorkio të posaçme për pajisjet ushtarake.

Ky vendim duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit nga Kongresi amerikan. “Nëse blerja e propozuar miratohet, Ukraina do ta financojë atë duke përdorur një kombinim të kontributeve evropiane dhe Financimit të Huaj Ushtarak të SHBA-së të ndarë gjatë Administratës së mëparshme”- bëri me dije Departamenti i Shtetit.

Njoftimi erdhi ndërsa Trump nënshkroi ligjin që i hap rrugë Shteteve të Bashkuara për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, me synimin për të rritur presionin mbi Moskën dhe për t’i  dhënë fund luftës së saj në Ukrainë. Legjislacioni synon të ardhurat e Rusisë nga eksportet e naftës dhe gazit, ndërsa masat mund të prekin edhe vendet që vazhdojnë të blejnë energji ruse.

Legjislacioni, i emëruar sipas senatorit të ndjerë amerikan Lindsey Graham, synon sektorët e energjisë dhe mbrojtjes të Rusisë, së bashku me Putinin dhe zyrtarë të tjerë të lartë.  Ai parashikon mundësinë që Trump të vendosë edhe tarifa, që mund të arrijnë deri në 100% ndaj vendeve që blejnë energji ruse ose që ndihmojnë Moskën të shmangë sanksionet, duke e bërë atë një nga mekanizmat kryesorë për rritjen e presionit ekonomik ndaj Rusisë dhe partnerëve të saj tregtarë. Miratimi i ligjit u  përshëndet nga Kievi, por u kritikua ashpër nga Kremlini.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme