Trump i jep afat deri të dielën Hamasit për të pranuar planin e paqes

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka dhënë Hamasit një afat të prerë për të pranuar planin për paqe të hartuar nga SHBA-ja për Gazën, i cili është dakordësuar mes tij dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.
Në një postim të bërë këtë të premte në platformën e tij Truth Social, Trump theksoi se marrëveshja duhet të pranohet deri të dielën në orën 18:00 sipas kohës së Uashingtonit.
Ai i tha grupit terrorist se ishin të rrethuar dhe “po prisnin vetëm që unë t’u jepja fjalën, ‘SHKO’, që jetët e tyre të shuheshin shpejt”.
Plani parashikon një ndërprerje të menjëhershme të luftimeve dhe lirimin brenda 72 orëve të 20 pengjeve izraelite që mbahen nga Hamasi, si dhe dorëzimin e mbetjeve të pengjeve të supozuara të vdekur, në këmbim të lirimit të qindra banorëve palestinezë të Gazës që ndodhen në paraburgim.
Sipas burimeve diplomatike, ndërmjetësues arabë dhe turq po ushtrojnë presion ndaj Hamasit për të pranuar propozimin. Megjithatë, një zyrtar i lartë i Hamasit ka deklaruar se grupi ka gjasa ta refuzojë marrëveshjen, duke ngritur dyshime mbi arritjen e një zgjidhjeje të shpejtë.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




