Trump kërcënon Kanadanë me tarifa të reja për shkak të zjarreve: SHBA po “mbytet” nga ajri i ndotur

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar Kanadanë me tarifa të reja tregtare, duke e akuzuar për “neglizhencë të qëllimshme” në menaxhimin e zjarreve masive që kanë mbuluar me tym pjesë të mëdha të Shteteve të Bashkuara.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump deklaroi se SHBA po “pushtohet në mënyrë të panevojshme nga ajri i ndotur, i ndyrë dhe i pashëndetshëm”, ndërsa paralajmëroi se do të telefonojë kryeministrin kanadez Mark Carney për të kërkuar shpjegime mbi mënyrën se si po menaxhohet situata.
Sipas presidentit amerikan, Kanadaja nuk ka bërë sa duhet për mirëmbajtjen e pyjeve dhe parandalimin e përhapjes së zjarreve, duke lënë të kuptohet se administrata e tij po shqyrton vendosjen e tarifave të reja ndaj vendit fqinj.
Sipas Sistemit Kanadez të Informacionit për Zjarret në Natyrë, deri të premten ishin regjistruar 888 zjarre aktive në të gjithë vendin, shumica e të cilave janë ende jashtë kontrollit. Vetëm në provincën e Ontarios po digjen mbi 190 vatra zjarri.
Flakët kanë shkatërruar tashmë afro 3 milionë hektarë tokë dhe tymi i dendur është përhapur në disa shtete amerikane, përfshirë Miçiganin, Minesotën, Ohajon, Pensilvaninë dhe Nju Jorkun.
Në shumë zona janë lëshuar alarme për cilësi të rrezikshme të ajrit, ndërsa sipas platformës IQAir, Detroiti kishte cilësinë më të keqe të ajrit në botë, i ndjekur nga Çikago, Uashingtoni dhe Nju Jorku.
Për shkak të ndotjes, janë anuluar aktivitete në natyrë, janë mbyllur plazhe, janë pezulluar kampe verore dhe janë regjistruar vonesa në fluturime për shkak të dukshmërisë së kufizuar.
Katër kongresmenë republikanë i kanë dërguar një letër të hapur autoriteteve kanadeze, ku shprehen se “durimi ka marrë fund” dhe kërkojnë masa më të forta për menaxhimin e pyjeve dhe parandalimin e zjarreve.
Ata akuzojnë Kanadanë për mungesë investimesh në pastrimin e pyjeve, reduktimin e materialeve të djegshme dhe luftën kundër zjarrvënieve, duke paralajmëruar se SHBA mund të shqyrtojë edhe përfshirjen e drejtpërdrejtë në operacionet ndërkufitare të shuarjes së zjarreve.
Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, iu përgjigj kritikave duke kujtuar se Kanadaja ka ndihmuar më parë SHBA-në gjatë zjarreve në Kaliforni dhe uraganeve në Karolinën e Veriut.
“Në vend që të ankoheni, dërgoni ndihmë. Ne kemi bërë të njëjtën gjë për miqtë tanë amerikanë,” deklaroi Ford.
Edhe kryeministri kanadez Mark Carney theksoi se ndryshimet klimatike janë një përgjegjësi globale dhe nuk mund t’i atribuohen vetëm Kanadasë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




