Trump kërcënon shkurtimin e afatit prej 50 ditësh për marrëveshje me Putinin

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se mund të shkurtojë afatin prej 50 ditësh që i kishte dhënë presidentit rus Vladimir Putin për të rënë dakord mbi një marrëveshje paqeje me Ukrainën. Deklarata u bë gjatë një takimi zyrtar me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.
Dy javë më parë, Trump kërcënoi me “tarifa shumë të ashpra” ndaj vendeve që mbështesin tregtinë me Rusinë, nëse nuk arrihet një marrëveshje brenda 50 ditësh. Por tani ai sinjalizon përshpejtimin e afateve.
“Do t’i zvogëloj ato 50 ditë që i dhashë në një numër më të vogël, sepse mendoj se e di tashmë përgjigjen,” deklaroi Trump.
“Kam folur shumë me Presidentin Putin, kam shkuar mirë me të. Por kur ai del dhe fillon të lëshojë raketa në ndonjë qytet, si Kievi, dhe vret shumë njerëz – në një azil pleqsh apo kudo – kur ke trupa të shtrirë nëpër rrugë, nuk ka më vend për justifikime”, tha Trump.
Trump shtoi se është “shumë i zhgënjyer me Putinin” dhe la të kuptohet se presioni diplomatik dhe ekonomik ndaj Rusisë do të rritet nëse situata në Ukrainë përkeqësohet më tej.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




