Trump kërkon rrëzimin e vendimit që kufizon ndalimet pa kriter të emigrantëve në Los Anxheles

Administrata e Donald Trump i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të rrëzojë një vendim të Gjykatës së Kalifornisë që po pengon autoritetet e imigracionit të arrestojnë pa dallim emigrantët në Los Anxhelos.
Në kërkesën emergjente të administratës drejtuar Gjykatës Supreme, Prokurori i Përgjithshëm, John Sauer, shkroi se vendimi i gjyqtarit “pengoi në mënyrë të paligjshme zbatimin e ligjeve të imigracionit në rrethin gjyqësor më të populluar të vendit. Është e vetëkuptueshme,” shkroi Sauer, “se askush nuk mendon se të folurit spanjisht ose puna në ndërtim në vetvete krijon dyshime. Askush nuk po sugjeron se këta janë faktorët e vetëm që marrin në konsideratë agjentët federalë. Por në shumë situata, faktorë të tillë mund të rrisin gjasat që dikush të jetë i pranishëm në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme.“
Më 2 korrik, grupet e të drejtave civile të udhëhequra nga Unioni Amerikan i Lirive Civile të Kalifornisë Jugore dhe Këshilli Publik ngritën një padi duke akuzuar administratën Trump për kryerjen e bastisjeve jokushtetuese në fillim të qershorit, duke arrestuar mijëra njerëz.
Padia akuzon administratën për kryerjen e “operacioneve pa dallim imigracioni” që synuan mijëra punëtorë.
“Individët me lëkurë të errët kontaktohen ose ndalohen nga agjentë federalë të paidentifikuar dhe detyrohen t’u përgjigjen pyetjeve në lidhje me identitetin e tyre dhe nga vijnë,” thuhet në padi.
Gazetar: Artur Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





