Trump mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën: S’do të ketë trupa amerikane, mbështesim Evropën

Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk do të dërgojnë trupat e tyre në Ukrainë, por janë të përgatitura të ndihmojnë vendet evropiane në ofrimin e garancive të sigurisë për Kievin.
“Nuk mendoj se mund të zgjidhet pa një lloj garancie sigurie, dhe nuk do të kemi trupa në tokë apo ndonjë gjë tjetër. Por nëse mund ta ndihmojmë Evropën, dhe ju e dini, ata do të jenë atje jashtë”, tha Trump.
Ai sugjeroi që mbështetja e SHBA-së mund të përfshijë ndihmën ndaj Evropës në patrullimin e hapësirës ajrore të Ukrainës.
“Ndoshta do të bëjmë diçka. Dëgjo, do të doja të shihja që diçka të zgjidhet. Ata nuk janë ushtarët tanë, por ka 5,000 deri në 7,000, kryesisht të rinj, që vriten çdo javë. Nëse do të mund ta ndaloja këtë dhe të kisha një aeroplan që fluturon në ajër herë pas here, do të jenë kryesisht evropianët, por ne… ne do t’i ndihmonim. Ata kanë nevojë për to, dhe ne do t’i ndihmonim nëse do të mund të bënim diçka”, u shpreh ai.
Gjithashtu Trump theksoi se SHBA-të aktualisht nuk po shpenzon para për luftën.
“Ne i shesim pajisje NATO-s. Ne nuk ia shesim Ukrainës. Ne ia shesim NATO-s. Ata paguajnë për pajisjet. Ne nuk po shpenzojmë para në luftë”, tha ai.
Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se garancitë e sigurisë që janë aktualisht në diskutim për Ukrainën duhet të jenë ekuivalente me Nenin 5 të NATO-s dhe të përfshijnë, ndër të tjera, financimin për forcat e armatosura të Ukrainës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





