Trump: Operacioni në Venezuelë “i jashtëzakonshëm”, SHBA do ta drejtojnë vendin deri në një tranzicion të sigurt e të drejtë

Presidenti amerikan Donald Trump, i shoqëruar nga Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, doli pasditen e së shtunës në një deklaratë për mediat ku foli për operacionin ushtarak të kryer në Venezuelë.
Trump falënderoi ushtrinë amerikane për “shpejtësinë, fuqinë, precizitetin dhe kompetencën marramendëse”, duke e cilësuar aksionin si një sukses të jashtëzakonshëm.
Ai vlerësoi “luftëtarët e stërvitur mirë” që vepruan në bashkëpunim me forcat e ligjit të SHBA-së, duke theksuar se forcat venezueliane ishin në gatishmëri dhe “na prisnin me shumë anije jashtë”, por u “mbingarkuan dhe shumë shpejt u paaftësuan”. Trump nënvizoi se gjatë operacionit nuk u vra asnjë ushtar amerikan dhe nuk u humb asnjë pajisje.
Presidenti amerikan deklaroi se SHBA-të kanë “eliminuar 97% të drogës që vinte nga deti” dhe pretendoi se çdo anije që transporton drogë vret mesatarisht 25,000 njerëz, duke shtuar se shumica e saj vjen nga Venezuela. BBC ka raportuar se këto shifra nuk janë të verifikuara.
Duke iu referuar sektorit të energjisë, Trump tha se biznesi i naftës në Venezuelë ka pësuar një “fat të keq” dhe se kompani të mëdha amerikane do të hyjnë në vend për të rregulluar infrastrukturën dhe “të fillojnë të fitojnë para për vendin”.
Ai paralajmëroi se SHBA-të janë “gati” për të organizuar një sulm të dytë “shumë më të madh” ndaj Venezuelës nëse është e nevojshme. “Fillimisht ishim të përgatitur të bënim një valë të dytë dhe kishim supozuar se do të ishte e nevojshme, por duke pasur parasysh suksesin e sulmit të mbrëmshëm, ndoshta tani nuk do të jetë kështu,” tha Trump.
Presidenti amerikan u shpreh se SHBA-të “do ta drejtojnë” Venezuelën deri në një tranzicion të sigurt dhe të drejtë të pushtetit. Ai e cilësoi operacionin ushtarak të kryer në kryeqytetin venezuelian si “të jashtëzakonshëm”, duke theksuar se u përdor fuqia ushtarake amerikane “dërrmuese” nga ajri, toka dhe deti.
“Ne do ta drejtojmë vendin deri në kohën kur të mund të bëjmë një tranzicion të sigurt, të duhur dhe të mençur. Pra, nuk duam të përfshihemi në ndërhyrjen e dikujt tjetër. Dhe kemi të njëjtën situatë që kemi pasur për periudhën e gjatë të viteve të fundit. Pra, ne do ta drejtojmë vendin deri në kohën kur të mund të bëjmë një tranzicion të sigurt, të duhur dhe të mençur.”- tha ai.
Vijon…
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




