Trump: Putin nuk do të sulmojë qytetet e Ukrainës gjatë javës së ftohtë

Botë | 9 muaj më parë

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë me dije se homologu i tij rus, Vladimir Putin, ka rënë dakord që të mos sulmojë, për një javë kryeqytetin Kiev dhe pjesë të tjera të Ukrainës, si pasojë e të ftohtit ekstrem.

“I kërkova personalisht presidentit Putin të mos godasë Kievin dhe qytete të tjera për një javë dhe ai është dakordësuar të ndalë sulmet. Ishte diçka shumë e këndshme. Shumë njerëz më thanë të mos çoja kot përpjekjet pasi nuk do t’ia arrija, por Putin pranoi. Ukrainasit gati nuk e besuan, por u lumturuan kur e morën vesh,” u shpreh Trump gjatë një takimi të kabinetit të tij, që u transmetua drejtpërdrejt nga media.

Më pas, në një postim në rrjetet sociale, Zelensky tha se Trump kishte bërë një deklaratë të rëndësishme për mundësinë e garantimit të sigurisë për Kievin dhe qytetet e tjera ukrainase gjatë kushteve ekstreme të motit

“Ekipet tona e diskutuan këtë në Emiratet e Bashkuara. Presim që marrëveshjet të zbatohen,” theksoi Zelensky, duke iu referuar takimit trepalësh Rusi–Ukrainë–SHBA që u mbajt javën e shkuar. Ndërkohë, për mediat deklaroi se nëse Rusia nuk sulmonte infrastrukturën energjitike apo ndonjë aset tjetër energjitik të Ukrainës, edhe forcat e vendit të tij nuk do të godisnin ato të rusëve.

Ndërsa Trump nuk specifikoi se kur do të niste ndalja e sulmeve, sirenat e alarmit ranë të premten në katër rajone që janë pranë vijës së frontit. Forcat e mbrojtjes ajrore të Ukrainës bënë me dije se ndaj këtyre katër rajoneve ishin lëshuar 80 dronë dhe një raketë balistike ruse.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme