Trump: Putin s’e takon Zelenskyn sepse nuk e pëlqen, me Rusinë po diskutojmë reduktimin e armëve bërthamore

Amerikë | 1 vit më parë

Në një konferencë për mediat nga zyra ovale presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka shpjeguar sipas tij edhe arsyet e refuzimit të Vladimir Putin për t’u takuar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Sipas Trumpit, fakti që Putin shmang takimin me Zelenskyn është se ai “thjesht nuk e pëlqen atë”.

Komentet e Trump vijnë në mes të një ngërçi diplomatik midis Moskës dhe Kievit, ndërsa konflikti në Ukrainë vazhdon të tensionojë marrëdhëniet ndërkombëtare.

I pyetur nga gazetarët për hezitimin e Putin për t’u takuar me Zelenskyn, Trump u përgjigj drejtpërdrejt, duke theksuar se mosmarrëveshjet personale mund të jenë një faktor kyç.

Presidenti zbuloi gjithashtu detaje nga bisedat e tij të fundit me liderin e Kremlinit, duke treguar se diskutimet kanë përfshirë çështje të rëndësishme si politika e armëve bërthamore dhe masat për kontrollin e armëve.

“Raketat, armët bërthamore – po flasim për shumë gjëra të ndryshme. Po flasim për kufizimin e armëve bërthamore, do të përfshijmë edhe Kinën në këtë diskutim,” tha Trump.

Trump e përshkroi hierarkinë aktuale të armëve bërthamore, duke vënë në dukje se SHBA-ja ka arsenalin më të madh, e ndjekur nga Rusia dhe Kina, por paralajmëroi se Kina mund të zvogëlojë këtë hendek brenda pesë viteve.

“Ne kemi më shumë, Rusia ka të dytën, dhe Kina është e treta, por Kina është shumë prapa. Megjithatë, ata do të na arrijnë në pesë vjet,” shtoi ai.

Komentet e Trump për Putinin dhe Zelenskyn u shoqëruan me kritika ndaj politikave të ish-presidentit Joe Biden për Ukrainën.

Trump ka kritikuar më herët Bidenin për kufizimet e vendosura ndaj aftësisë së Ukrainës për të kryer sulme në territorin rus, duke argumentuar se këto kufizime “i hoqën Kievit shansin për të fituar luftën”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme