Trump: SHBA do të godasë Iranin jashtëzakonisht fort. Çmimet e naftës rriten pas fjalimit të tij

Presidenti amerikan Donald Trump, në një fjalim të mbajtur nga Shtëpia e Bardhë, deklaroi se SHBA është “afër përfundimit” të objektivave ushtarake në Iran dhe paralajmëroi se vendi do të goditet “jashtëzakonisht fort” nëse nuk pranon një marrëveshje.
Ai theksoi se SHBA nuk ka nevojë për naftë nga jashtë, duke u bërë thirrje vendeve që varen nga nafta e Lindjes së Mesme të marrin drejtimin për të mbajtur të hapur ngushticën e Hormuzit.
“Procesi është afër përfundimit. Ne do ta godasim Iranin jashtëzakonisht fort nëse nuk pranon një marrëveshje. SHBA nuk ka nevojë për naftë nga jashtë. Vendet që varen nga nafta e Lindjes së Mesme duhet të marrin guximin dhe të mbajnë të hapur ngushticën e Hormuzit”, tha Trump.
Trump falënderoi aleatët e SHBA-së në rajon, përfshirë Izraelin dhe shtetet e Gjirit, duke nënvizuar se nuk do të lejojë që ata të dështojnë.
Pas fjalimit të tij, tregjet globale reaguan menjëherë. Çmimi i naftës së papërpunuar Brent u rrit me 5%, duke arritur në 106 dollarë për fuçi, ndërsa tregjet e aksioneve në Azi pësuan rënie. Analistët vlerësojnë se fjalimi nuk arriti të qetësojë tregjet, pasi nuk ofroi garanci konkrete për normalizimin e transportit në ngushticën e Hormuzit, rrugë nga e cila kalon rreth 20% e furnizimit botëror me naftë.
Nga ana tjetër, Irani paralajmëroi sulme “dërrmuese dhe më të gjera” ndaj SHBA-së dhe Izraelit, duke hedhur poshtë pretendimet e Trump se stoku i armëve të Teheranit është varfëruar. Zëdhënësit iranianë theksuan se prodhimi ushtarak i vendit zhvillohet në vende të panjohura dhe se agresioni amerikan do të ketë pasoja të rënda.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




