Trump sugjeron “copëzimin” e Donbasit si zgjidhje për përfundimin e luftës në Ukrainë

Presidenti amerikan Donald Trump ka sugjeruar se mënyra më e shpejtë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë është që vendi të heqë dorë nga pjesë të mëdha të rajonit të Donbasit, duke i lënë ato nën kontrollin rus.
Deklarata erdhi pas një takimi të tensionuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë dhe u bë publike gjatë një interviste me gazetarët në bordin e Air Force One, të dielën (19 tetor).
“Le të pritet ashtu siç është. Është prerë tani. Ata mund të negociojnë diçka më vonë”, tha Trump, duke shtuar se palët duhet “të ndalojnë së luftuari, të shkojnë në shtëpi dhe të ndalojnë së vrari njerëz”.
Komentet e tij shënojnë një ndryshim të ndjeshëm nga qëndrimi i mbajtur në shtator, kur Trump shprehej se Ukraina jo vetëm që duhet të rikuperojë të gjithë territorin e saj të pushtuar, por edhe të “shkojë më tej” në tokën ruse. Në atë kohë, ai e quante Rusinë një “tigër letre”.
Sipas burimeve të Reuters, Trump ka ushtruar presion ndaj Zelenskyt gjatë takimit, duke i sugjeruar dorëzimin e territoreve si rrugë për arritjen e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë. Takimi përfundoi pa ndonjë rezultat konkret për Ukrainën në veçanti, pasi Zelensky nuk arriti të sigurojë raketat me rreze të gjatë Tomahawk, për të cilat kishte lobuar prej javësh.
Këto raketa do t’i kishin dhënë Ukrainës kapacitet për të goditur objektiva thellë në territorin rus, përfshirë kryeqytetin Moskë, një avantazh i rëndësishëm në fushën e betejës.
Pak para deklaratave të tij, Trump ka zhvilluar një telefonatë të gjatë me presidentin rus Vladimir Putin, pas së cilës dy liderët thuhet se kanë rënë dakord të takohen së shpejti në Budapest.
Më pas, në një postim në rrjetet sociale, Trump e përshkroi takimin me Zelenskyn si “interesant dhe të përzemërt”, por theksoi se “tani është koha për një marrëveshje”, duke shtuar se këtë sugjerim ia kishte bërë edhe vetë Putinit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




