Turizmi malor tërheq të huajt në Gjirokastër, Çajupi kthehet në destinacionin e preferuar për aventurat në natyrë
Turizmi malor po kthehet gjithnjë e më shumë në një nga zgjedhjet e preferuara të turistëve të huaj në Gjirokastër. Zona e Çajupi është shndërruar në një destinacion tërheqës për ata që kërkojnë aventura në natyrë, larg zhurmës së qytetit. Vizitorët zgjedhin të eksplorojnë peizazhet e mrekullueshme përmes tureve me kuaj, duke përjetuar nga afër bukuritë e zonës.
“Përshëndetje, emri im është Natasha. Jam nga Kalifornia. Jam këtu në Shqipërinë e bukur duke bërë ture me kuaj. Kalërimi është absolutisht mahnitës. Peizazhet janë shumë të bukura dhe jam shumë e lumtur që jam këtu. Ia rekomandoj këtë eksperiencë kujtdo.”
“Përshëndetje, emri im është Niko. Jam nga Los Angeles. Ja ku jemi më në fund në Shqipërinë e bukur . Kalërimi me kuaj këtu ka qenë shumë i bukur. E nisëm nga lugina dhe më pas u ngjitëm në male. Është një eksperiencë që po e shijoj shumë.”
Përveç eksplorimit të natyrës, turistët ndalen edhe në bizneset turistike të zonës, ku shijojnë gatime tradicionale bio dhe produkte të freskëta vendase. Mikpritja e banorëve dhe cilësia e ushqimit janë ndër elementët që lënë më shumë përshtypje tek vizitorët. Kjo formë turizmi po kontribuon gjithnjë e më shumë në zhvillimin ekonomik dhe promovimin e vlerave të zonës.
“Gjithçka është natyrale dhe e bukur, ka shumë fruta që rriten në pemë. Kemi rrushin nga i cili bëhet vera. Natyra dhe peizazhet janë të mrekullueshme. Ushqimi është i mrekullueshëm. Shërbejnë djathë të freskët, gjalpë të freskët, gjithçka është e freskët. Edhe mishi i qengjit piqet i freskët në zjarr. Njerëzit janë shumë të mirë dhe miqësorë, të buzëqeshin kudo.”
“Në fakt, të kujton pak Kaliforninë. Ka bimësi të tipit shkurre, terren shkëmbor dhe fusha të hapura shumë të bukura. Mund të shohësh ushqimin ndërsa kalon pranë gjatë kalërimit. Ushqimi është i shkëlqyer. Njerëzit kanë qenë shumë miqësorë. Gjithçka është e freskët. Po e shijoj shumë qëndrimin këtu në Shqipëri.”
Gjatë udhëtimit, turistët përshkojnë lugina, kodra dhe shtigje malore që ofrojnë pamje mbresëlënëse dhe ajër të pastër. Kalërimi në këto zona krijon një eksperiencë autentike, duke i afruar vizitorët me natyrën dhe traditën vendase. Çajupi mbetet një nga pikat më të kërkuara për këtë lloj turizmi, ku ndërthuren aventura dhe qetësia natyrore.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




