Turizmi në Shqipëri shënon rritje gjatë korrikut 2026, turistët e huaj nxisin sektorin akomodues

Turizëm | 32 minuta më parë

Sektori i turizmit në Shqipëri ka vijuar ecurinë pozitive edhe gjatë muajit korrik 2026, ku numri i vizitorëve që shfrytëzuan strukturat akomoduese shënoi një rritje prej 15.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) tregojnë se motori kryesor i kësaj rritjeje mbeten vizitorët jo-rezidentë, të cilët pësuan një rritje prej 18.3%, ndërsa numri i vizitorëve rezidentë u rrit me 6.4%.

Ecuri pozitive është regjistruar edhe në treguesin e net-qëndrimeve, i cili pësoi një rritje totale prej 14.0%. Sipas INSTAT, “net-qëndrimet e vizitorëve rezidentë u rritën me 4,4 %, ndërsa net-qëndrimet e vizitorëve jo-rezidentë u rritën me 17,3 %”.

Paralelisht me rritjen e numrit të turistëve, është rritur edhe efiçenca e shfrytëzimit të kapaciteteve hoteliere.

“Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti 55,3 %, nga 52,9 % në Korrik 2025, duke shënuar një rritje me 2,4 pikë përqindje”, bëhet e ditur në raportin zyrtar.

Kosova dhe Italia kryesojnë nga tregjet e huaja

Peshën kryesore të turizmit të huaj e mbajnë vizitorët nga rajoni dhe Evropa Perëndimore. Kosova vazhdon të mbetet tregu kryesor me 18% të totalit të vizitorëve të huaj, e ndjekur nga Italia me 13% dhe Polonia me 11%. Vizitorët nga Franca përbëjnë 7% dhe ata nga Gjermania 6%, ndërsa 45% e vizitorëve të huaj erdhën nga shtete të tjera.

Rajonet bregdetare dhe Jugu mbeten destinacionet kryesore

Gjatë korrikut 2026, shpërndarja gjeografike tregoi një përqendrim të lartë në zonat bregdetare dhe në Rajonin e Jugut. Në zonën bregdetare u akomoduan gjithsej 151.042 rezidentë dhe 478.083 jo-rezidentë, ndërsa zonat jo-bregdetare regjistruan një rënie të lehtë te rezidentët (42.861) dhe një rritje te jo-rezidentët (144.577).

Akomodimi i vizitorëve sipas rajoneve, zonave dhe llojit të strukturës (Korrik 2025 – Korrik 2026):

Kategoria Rezidentë (Korrik 2025) Rezidentë (Korrik 2026) Jo-rezidentë (Korrik 2025) Jo-rezidentë (Korrik 2026)
Rajoni i Veriut 47.237 53.858 157.624 202.785
Rajoni Qendër 47.465 39.874 184.894 202.065
Rajoni i Jugut 87.601 100.171 183.784 217.810
Zona Bregdetare 131.137 151.042 392.704 478.083
Zona Jo-bregdetare 51.166 42.861 133.598 144.577
Hotele dhe akomodime të ngjashme 162.868 169.112 476.109 558.018
Akomodime për pushime / afatshkurtra 19.012 23.544 43.959 57.187
Kampingje dhe parqe rulotash 423 1.247 6.234 7.455
GJITHSEJ 182.303 193.903 526.302 622.660

Sipas llojit të strukturave akomoduese, hotele tradicionale mbeten më të preferuarat, duke pritur 169.112 rezidentë dhe 558.018 jo-rezidentë. Megjithatë, vihet re një interes në rritje edhe për kampingjet dhe akomodimet alternative për pushime afatshkurtra.

INSTAT sqaron se këto të dhëna mblidhen çdo muaj përmes një vrojtimi tërësor sipas Rregullores së Bashkimit Evropian (EU) nr. 692/2011, me qëllim monitorimin e ecurisë dhe tendencave të zhvillimit të kapaciteteve në sektorin e turizmit shqiptar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme