Laboratori i drogës në Lezhë, lihen në burg babë e bir, arrest në shtëpi për punonjësin e OSHEE

Aktualitet | 9 muaj më parë

Tre personat e arrestuar për laboratorin e drogës, i cili u zbulua brenda një godine katërkatëshe përgjatë aksit rrugor Lezhë-Milot, u njohën me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës.

Me seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, e cila zgjati rreth 60 minuta, gjykata e cilësoi të ligjshëm arrestimin e shtetasve A. Gj., 57 vjeç, dhe A. Gj., 22 vjeç (babë e bir), si autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale dhe vendosi masën e sigurisë “arrest në burg”

Ndërsa për punonjësin e OSHEE-së, Gj. D., u vendos masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për veprën penale “Shpërdorim Detyre”.

Laboratori i drogës u zbulua në mbrëmjen e së hënës, ku nga kontrolli i ushtruar në katin e dytë të objektit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 8.8 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis (e tharë), 1064 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 960 fidanë kanabisi të mbjellë në kubikë, 850 fara kanabisi, 106 llamba me transformator që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, një armë zjarri automatike me dy krehra me fishekë, një pistoletë sportive me fishekë, një automjet dhe katër aparate celularë.

Po ashtu, nga kontrolli i kryer në banesat e shtetasve të arrestuar, u gjetën dhe u sekuestruan 180 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një pistoletë me mulli, një armë zjarri pushkë dhe një armë sportive.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme