Lezhë – Zbulohet laborator kanabisi në objekt 3-katësh, armë, kokainë dhe lidhje të paligjshme energjie, arrestohen babë e bir
Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin e koduar “Second floor”, duke zbuluar një veprimtari kriminale për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit në fshatin Rrilë.
Gjatë kontrollit të një objekti trekatësh, u zbuluan 4 ambiente të përshtatura për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike, të pajisura me llamba elektrike dhe të furnizuara përmes lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike.
Si rezultat, u sekuestruan 8.8 kg kanabis i tharë, 1064 bimë, 960 fidanë, 850 fara kanabisi, 180 gramë kokainë, si dhe armë zjarri, armë sportive, një automjet dhe celularë.
Në flagrancë u arrestuan dy shtetas, babë e bir, ndërsa u vu në pranga edhe një punonjës i OSHEE-së, i dyshuar si bashkëpunëtor. Po ashtu, 4 punonjës të tjerë të OSHEE-së po hetohen për shpërdorim detyre.
Hetimet tregojnë se kjo veprimtari kriminale dyshohet se zhvillohej prej disa muajsh. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




