Ujku në Lushnjë sulmon bagëtitë e imëta. U mbytën gjysma e dhive dhe deleve, blegtorët thirrje institucioneve
Gjysma e kopesë së bagëtive të imëtave janë sulmuar nga ujku në fshatin Karbunarë e Vogël të Lushnjës.
Kafsha e egër ka mbytur 40 kokë dhi e dele pasi ka zbritur nga mali në fushë.
Namik Sinani, banor i fshatit, tregon sesi bagëtitë e tij u gjetën në befasi, kur ujku hyri në vathë.
“I ndau në gjysma. Gjysmat i solli në shtëpi. Janë të tjerat rrugës, në pyll… nuk e di nga i ka çuar,” thotë blegtori.
Ndërsa bashkëshortët Sinani tregojnë se prej kohësh në fshat janë parë kope ujqërish, të cilët nuk kanë kursyer as kafshët e punës.
“Na iku mendja! Këtu ishte plot. Kam marrë pesë ditë gjilpëra [për kafshët]. Fola sot [me veterinerin]. Inshallah shpëtojnë, tha, por frikë ka që nuk shpëtojnë,” thotë znj. Emine Sinani.
Blegtorët kërkojnë ndihmën e shtetit për kompensimin e tufës së bagëtive, ndërsa rasti është referuar pranë shërbimit veterinar dhe pritet groposja, si dhe dezinfektimi i zonës nga bagëtitë e ngordhura.
“Pensionist jam. Me ato ushqehem. Unë nuk kërkoj gjë nga shteti. Kërkoj vetëm kaq, që po e vuri dorën në zemër për mua, ta vërë!” apelon z. Sinani.
Banorët e Karbunarës së Vogël i tremben sulmit të ujqërve, pasi ata prej kohësh afrohen shumë pranë banesave, ndërsa pylli i Zgjanës është kthyer në strehën e tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




