Ulja e kriminalitetit, Manja prezanton rekomandimet e qeverisë për prokurorinë

Aktualitet | 3 vite më parë

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka prezantuar këtë të premte (3 maj) rekomandimet e qeverisë për Prokurorinë e Përgjithshme për kriminalitetin.

Manja deklaroi se për vitin 2024, rekomandimet e qeverisë grupohen në katër shtylla kryesorel rritja e pavarësisë së prokurorit në ushtrimin e ndjekjes penale dhe hetimet paraprake; forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; garantimin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut; dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërinstitucional brenda dhe jashtë vendit.

Manja theksoi se kryefjalë e rekomandimeve të qeverisë, mbetet përpjekja e përbashkët e institucioneve për forcimin e sistemit të drejtësisë, dhe rritja e organit të prokurorisë në luftën kundër kriminalitetit për krijimin e një mjedisi të sigurt për lirinë e çdo qytetari.

“Dua të vë theksin te një masë që vlen ta nënvizojmë dhe ka të bëjë me marrjen e masave proceduriale dhe administrative për garantimin e paanshmërisë dhe shmangien e çdo influence ose ndikimi ndaj prokurorëve gjatë kryerjes së hetimeve, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe llogaridhënies së prokurorëve në ushtrimin e  ndjekjes penale dhe hetimeve paraprake.

Me rëndësi është dhe forcimi i kapaciteteve dhe burimeve njerëzore. Këshilli i Ministrave rekomandon se për 2024 të vazhdohet me rritjen profesionale dhe organizimin e trajnimeve për prokurorët dhe oficerët e  policisë gjyqësore në përputhje me profilizimin e tyre sipas seksioneve brenda prokurorive”, tha Manja.

Ndalur te një tjetër prej rekomandimeve, atë të forcimit të luftës kundër korrupsionit, Këshilli i Ministrave ka sugjeruar 6 masa, kryefjalë e së cilave mbetet përdorimi me efikasitet i teknikave proaktive të hetimit dhe dënimi i autorëve të këtyre veprave penale.

“Me rëndësi  ngelet rritje e përdorimit me efikasitet të teknikave proaktive të hetimit, vijimin e rritjes së personave të hetuar e dënuar për këto vepra penale, dhe dënimin e autorëve të këtyre veprave.

Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar: Këshilli i Ministrave rekomandon 9 masa. Fokusi vihet te marrja e masave për evidentimin dhe rritjen e numrit të procedimeve penale për veprat penale në kushtet e terrorizmit dhe ato që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare.

Duhet të fokusohemi dhe te veprat penale që kanë të bëjnë me sigurinë kibernetike.

Garantimi i të drejtave themelore të njeriut: Një prej rekomandimeve më të rëndësishme të Këshillit të Ministrave”, tha Manja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme