Urgjencat pediatrike 24-orëshe, mjekët: Prindërit kanë besim në shërbimet ambulatore

Infeksionet respiratore dhe virozat e shumta kanë ngarkuar këtë të hënë edhe dyert e urgjencave pediatrike 24-orëshe që janë aktive në 4 qendra shëndetësore të kryeqytetit.
Përveç urgjencës pediatrike spitalore në QSUT, mjekët-rojë në këto urgjenca përballojnë një fluks të konsiderueshëm pacientësh në ditë festash.
“Prindërit kanë krijuar besim tek shërimi ynë dhe nuk shkojnë direkt në QSUT pa u konsultuar më parë me ne. Deri në orën 12:00 të mesditës janë kryer rreth 25 vizita dhe shërbimi këtu është një lloj filtri për urgjenca spitalore. Atje ne çojmë vetëm rastet që kërkojmë ndihmë më të specializuar. Ky shërbim e ka lehtësuar shume edhe ngarkesën në urgjencën spitalore”, u shpreh Anila Vela, patologe në Qendrën Shëndetësore 7.
Për mjekët e Urgjencës spitalore kjo është rruga e duhur për të mos krijuar radhë pritje në kushte shëndetësore delikate.
“Një këshillë për prindërit : Duhet të shohin statusin e fëmijës së tyre dhe të kontaktojnë fillimisht mjekun e familjes. Më pas sipas sistemit të referimit të paraqiten në urgjencën spitalore ku sigurisht vlerësohet statusi I fëmijës”, tha Albert Lama, shef i Urgjencës Pediatrike në QSUT.
Në të katra urgjencat pediatrike 24-orëshe të Tiranës kryhen edhe shërbime infermierore.
“Kryhet në infermieri injeksione, perfuzione dhe aerosol për të vegjlit”, tha mjekja.
Mjekët rekomandojnë frekuentimin e këtyre urgjencave gjatë ditëve të pushimit dhe gjatë çdo nate, pasi ndihma e parë është më e shpejtë.
Gazetare: Sonila Mlloja
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




