Urgjencat shpërndahen te trauma dhe sanatoriumi, rrethet mbulohen në spitalet Fier dhe Shkodër

Drejtoria e spitalit universitar Nënë Tereza njofton qytetarët se ky shërbim nuk është ndërprerë dhe po ofrohet sipas një grafiku të mirë përcaktuar në spitalin universitar të Traumës dhe në Qendrën Spitalore Rajonale të Tiranës “Shefqet Ndroqi”. Të gjithë janë të udhëzuar t‘i drejtohen këtyre dy spitaleve për çdo urgjencë kardiake apo të specialiteteve të ndryshme, duke përfshirë edhe shërbimin pa ndërprerje të koronografisë, pasi ekipet e mjekëve po shërbejnë aty.
Në spitalin “Shefqet Ndroqi“, kapacitetet e urgjencës janë në dispozicion të të gjitha rasteve që vijnë por kjo e diel nuk ka shënuar fluks të lartë kërkesash për ndihmë shëndetësore.
Qytetarët e Gjirokastrës, Vlorës , Fierit e Beratit për çdo urgjencë kardiologjike, të sëmundjeve të brendshme apo ortopedike do t’i drejtohen Spitalit Memorial në Fier , ndërsa urgjencat kardiologjike për qarkun Shkodër dhe Lezhë trajtohen në Spitalin Rajonal Shkodër.
Aksidentet vaskulare cerebrale trajtohen në shërbimin neurovaskular QSUT ndërsa urgjencat e tjera neurologjike në QSR Shefqet Ndroqi.
Drejtoria e QSUT njofton, se bazuar në planet e emergjencës, janë të gjitha kapacitetet e nevojshme në infrastrukturë dhe personel shëndetësor, për të ofruar përkohësisht në këto struktura shëndetësore shërbimin e urgjencës së spitalit qendror.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




