Vangjeli: Pas protestës së djeshme dy palët janë në kurs përplasjeje
Analisti Lorenc Vangjeli, në emisionin “Trialog”, shprehu mendimin se pas protestës së djeshme të opozitës, situata politike sipas tij duket se po përshkohet nga një kurs përplasjeje mes dy palëve.
Sipas analistit, situata mund të rrisë tensionet dhe të vërë në sfidë stabilitetin politik në vend.
“Unë jam i trembur. E djeshmja, pavarësisht të gjithë dinamizmit që ndodhi, ishte normale në këtë anormalitetin tonë të vazhdueshëm. Ne jemi mësuar me një gjë të tillë. Sot u tremba kur dëgjova liderin e opozitës, Sali Berishën, të përmendte numrin tragjik 4, të fliste për një skenar me snajper, për një plan të mazhorancës për të ekzekutuar, dhe u shfaq si fantazmë dezhavuje e 21 janarit.
Më trishtoi edhe mënyra se si foli Edi Rama, shumë më i përmbajtur se Berisha, 14 vjet më parë, por tregoi armët me vrastare të protestuesve. Sërish u shfaq si fantazmë e përgjakur e 21 janarit të 14 vjetëve më parë. Duket sikur të dyja palët janë në një kurs përplasjeje”, tha Vangjeli.
Sipas analistit, “Është e qartë që opozita, në një përpjekje për faktorizim, atë që nuk e bën dot as nëpërmjet numrave në parlament, as nëpërmjet ideve dhe as nëpërmjet moralit, po tenton ta bëjë nëpërmjet forcës që tregon në bulevard për të shkaktuar destabilitet, që do të bënte të mundur ndërhyrjen e aktorëve të tjerë për të zgjidhur sherrin e vazhdueshëm” tha ai ndërsa shton se “duket se nëpërmjet ngjarjeve të tilla, përplasjeve të mundshme mes protestuesve dhe policëve, fshihen probleme të tjera”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




