VanHorn: Transparencë në përzgjedhjen e kreut të SPAK! Lufta ndaj krimit dhe drogës, prioritet i përbashkët SHBA-Shqipëri

E Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn, deklaroi se partneriteti me SPAK-un ka dhënë rezultate konkrete në luftën kundër krimit, por theksoi se efektiviteti i këtij institucioni varet nga pavarësia e tij.
Teksa kujtoi se mandati i kryeprokurorit Altin Dumani ka përfunduar, VanHorn nënvizoi se “procesi i përzgjedhjes së pasardhësit duhet të jetë i paanshëm, transparent dhe i lirë nga ndikimet e jashtme”.
Duke iu referuar vizitës së fundit të Kryeprokurorit të Posaçëm Altin Dumani në Uashington, VanHorn nënvizoi se ky bashkëpunim nuk është ndërtuar brenda natës dhe duhet mbrojtur e forcuar më tej.
“Kryeprokurori i Posaçëm Dumani ishte së fundmi në Uashington për të diskutuar me udhëheqjen tonë se si e luftojmë së bashku krimin këtu dhe në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, partneriteti i ligjzbatimit midis Departamentit tonë të Drejtësisë dhe SPAK-ut nuk u ndërtua brenda natës. Së bashku, duhet të mbrojmë atë që kemi ndërtuar.
SPAK-u është aq efektiv sa pavarësia e tij për të ndjekur kriminelët, pavarësisht se me kë janë të lidhur. Edhe SPAK-u i nënshtrohet ligjeve të Shqipërisë. Bazuar në ligj, Z. Dumani, sado efektiv që ka qenë, do të zëvendësohet, sepse mandati i tij ka përfunduar. Procesi i përzgjedhjes së pasardhësit të Z. Dumani duhet të jetë i paanshëm, transparent dhe i lirë nga ndikimet e jashtme”, u shpreh VanHorn.
VanHorn shtoi se Shtetet e Bashkuara, ashtu si partnerët e tjerë ndërkombëtarë, do ta ndjekin nga afër këtë proces, njësoj si edhe përzgjedhjen e kreut të ardhshëm të BKH-së.
“Ata që dëshirojnë ta shohin Shqipërinë të vazhdojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit, përfshirë partnerët ndërkombëtarë, janë shumë të interesuar për këtë proces dhe do ta ndjekin nga afër. Shtetet e Bashkuara presin integritet në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Posaçëm; ashtu siç presim për përzgjedhjen e Drejtorit të ardhshëm të BKH-së”, tha ajo.
Gjatë fjalës së saj në konferencën rajonale të OSBE-së, VanHorn deklaroi se lufta kundër organizatave kriminale dhe trafikimit të drogës mbetet prioritetet për Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë, pasi këto fenomene minojnë sigurinë globale, kërcënojnë stabilitetin dhe dëmtojnë mirëqenien e qytetarëve.
“Siç kanë treguar hetimet, kriminelët shqiptarë bashkëpunojnë me kartelet e Amerikës së Jugut – grupe që përmbytin Shtetet e Bashkuara dhe Evropën me droga të paligjshme duke kërcënuar sigurinë tonë kombëtare. Partneriteti ynë me SPAK-un, i ndërtuar mbi një themel besimi dhe angazhimi me Departamentin tonë të Drejtësisë, tregon ndikimin e bashkëpunimit efektiv. Përmes këtij partneriteti, SPAK shënjestron kriminelët këtu dhe në Amerikën e Jugut. Puna e SPAK-ut trajton gjithashtu një aspekt tjetër të krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve: financat e paligjshme dhe pastrimin e parave. Shuma të mëdha të ardhurash të paligjshme të pastruara në të gjithë këtë rajon minojnë rritjen reale ekonomike. Këto përpjekje forcojnë sigurinë e Shqipërisë”, tha ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




