VAR-i protagonist në Ballsh, një autogol i Peraltës i jep 3 pikë të arta Vllaznisë

Abissnet Superiore | 1 vit më parë

Një autogol i Peraltës në minutat e fundit të takimit ka vulosur fatin e ndeshjes Bylis-Vllaznia, që çeli javën e 7-të të kampionatit Abissnet Superiore në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar. Shkodranët triumfojnë 1-0 në një transfertë të vështirë dhe ngjiten momentalisht të vetëm në krye të renditjes në kuotën e 16 pikëve. VAR-i ka qenë protagonist në këtë takim, pasi ka ndërhyrë në 3 episode gjatë ndeshjes.

Ndeshja e transmetuar në RTSH 1 dhe RTSH Sport nisi shumë mirë për miqtë, që shënojnë shumë shpejt me Jago, por pas verifikimit në VAR, goli anulohet për pozicion jashtë loje. Vllaznia është më kërkuese në minutat e para, por me kalimin e kohës edhe Bylisi shfaqet rrezikshëm në sulm, madje i afrohet golit me Mustafa. Pjesa e parë mbyllet në barazim të bardhë 0-0.

Në pjesën e dytë VAR-i bëhet sërish protagonist. Gjyqtari Vrapi akordon penallti për Bylisin, por pas rishikimit të pamjeve e anulon vendimin e tij. Skuadrat luftojnë kryesisht në mesfushë dhe mungojnë rastet e pastra për shënim. Por në minutën e 83-të vjen episodi që vulos fatin e ndeshjes. I pafat Peralta që devijon në portën e tij topin dhe i dhuron Vllaznisë një gol që vlen 3 pikë.

Në minutën e 96-të Bylisi shënon, por goli anulohet për shkak të një faulli në nisje të aksionit.

Shkodranët fitojnë 1-0 në Ballsh dhe marrin kreun e renditjes, ndërsa Bylisi mbetet në kuotën e 6 pikëve në klasifikim.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme