Vdekja e presidentit të Iranit, diplomati: Mund të ketë trazira, liderja e muxhahedinëve po bën thirrje për protesta

Botë | 2 vite më parë

Aksidenti ajror që i mori jetën presidentit iranian Ebrahim Raisi mund të shkaktojë trazira në Iran. Në një analizë të bërë nga diplomati Spartak Topollaj në RTSH24, populli i shtypur nga regjimi i egër i presidentit Raisi mund të çojë në protesta dhe revolucion për sjelljen e demokracisë.

Diplomati Topollaj tha se në Iran nuk ka një opozitë të vërtetë dhe se opozita bëhet nga muxhahedinët e strehuar në Shqipëri. Me vdekjen e presidentit iranian, diplomati tha se “liderja e muxhahedinëve ka bërë thirrje të ngrihen dhe të vendosin në Iran demokracinë si në shumë shtete të botës”.

“Vdekja e Raisit patjetër që ka tronditur Iranin, pasi është një shtet me probleme të mëdha. Ligji i Sheriatit, shtypja që i bëhet opozitës që pothuajse nuk ekziston. Raisi ka qenë tmerrësisht i egër, nuk ka falur asnjë njeri. Në Iran ekzekutohen edhe fëmijë, ku atje për pak gjë dënohesh me varje. Vdekja e këtij mund të shkaktojë trazira, pasi edhe liderja e muxhahedinëve ka bërë thirrje të ngrihen dhe të vendosin në Iran demokracinë si në shumë shtete të botës. Çdo popull kërkon demokracinë, mund të zgjasë regjimi, por popujt janë gjithmonë në kërkim të demokracisë”, tha ai.

Lidhur me aksidentin ajror, diplomati tha se në të tilla raste ngjarjet shpesh mbulohen me një shtresë enigme dhe teori konspirative.

“Në raste të tilla të aksidenteve të rënda, kur në bordin e helikopterit të prodhimit amerikan patjetër që gjëja e parë që shkon në mendje është teoria konspirative, kos vallë e rrëzuan. Më pak i diskutueshmi është varianti vërtetë dhe ai zyrtar. Fakt është që me këtë helikopter presidenti Raisi u nis për në Azerbajxhan dhe në kthimin helikopterin me të cilin udhëtonte u rrëzua. Të gjitha variantet ekzistojnë deri sa nuk ka një version përfundimtar dhe këto aksidente rrethohen nga enigma dhe teoritë konspirative”, tha ai.

Për diplomatin Irani ka qenë gjithnjë një vend që kërkon luftë në rajon dhe se ishte “bazë e furnizimit me armë të shumë organizatave terroriste si Hesbollau dhe Hamasi”.

Presidentit iranian Ebrahim Raisi u përcoll sot (21 maj) në banesën e fundit. Aksidenti ndodhi në malet e qytetit veriperëndimor të Tabrizit, ku zyrtarët po ktheheshin pas inaugurimit të një dige në kufi me Azerbajxhanin. Forcat e armatosura iraniane do të hetojnë shkaqet e aksidentit.

 /rtsh.al/   


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme