Veliaj kërkon të dëgjohet në Këshillin Bashkiak, PD ngulmon për praninë e tij në mbledhjen ku do të votohet për shkarkimin

Politikë | 1 vit më parë

Kryebashkiaku në detyrë i Tiranës, Erion Veliaj, ka kërkuar zyrtarisht të jetë i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, e cila është caktuar për të martën. Kjo mbledhje do të trajtojë shkarkimin e tij nga detyra.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, duket se janë në një mendje me kërkesën e Veliajt. Nënkryetari i Këshillit, Dorjan Teliti, ka theksuar në një postim në Facebook se “Veliaj meriton të dëgjohet para se të shkarkohet”. Ai ngre pyetjen nëse kryebashkiakut në detyrë do t’i lejohet të largohet nga paraburgimi për t’u dëgjuar nga anëtarët e Këshillit.

“Të martën është dita kur Veliaj pritet të shkarkohet nga detyra nga Këshilli Bashkiak. Ama, para shkarkimit, ai ka të drejtën të dëgjohet aty në sallë përpara të zgjedhurve vendorë të Kryeqytetit. Opozita jo vetëm që nuk trembet nga ajo fjalë, por kërkon/insiston që Veliaj të jetë aty, ballë për ballë, për t’i thënë atij dhe treguar qytetarëve disa të vërteta mbi korrupsionin dhe dëmet që ai i ka shkaktuar Tiranës në 10 vitet e fundit.”, shkruan Teliti.

Sipas tij, pyetja që sot bën Tirana – dhe gjithë Shqipëria – është e thjeshtë: “A do e lejojë qeveria Veliajn të dalë nga burgu për të folur? Apo do ta mbajnë mbyllur nga frika se mos i del boja edhe atyre bashkë me të?”

“Sepse kur ke ndërtuar një regjim mbi propagandë dhe teatër, një fjalë e vetme jashtë skenarit prish gjithë shfaqjen. Për shkarkimin e Veliaj duhej leja e qeverisë… po për fjalën e Veliaj, a do jepet ndonjë leje? E marta po vjen…”, shkruan Teliti.

Veliaj, i cili po qëndron në masë sigurie prej më shumë se gjashtë muajsh, thekson në kërkesën e tij se mungesa nuk është vullnetare, por “rrjedhojë e një mase sigurie disproporcionale”.

Në kërkesë, Veliaj sqaron se vendimi për masën e sigurisë është një vendimmarrje gjyqësore që ka ndërprerë padrejtësisht mandatin e tij kushtetues.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme