Veliaj mungon në gjyq, Ajola Xoxa kërkon pezullimin e procesit për 63 ditë pas lindjes. SPAK: Të ndahet çështja e saj

Këtë të martë është zhvilluar seanca gjyqësore për dosjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.
Erion Veliaj nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit. Sipas gjykatës, ai është njoftuar rregullisht për zhvillimin e seancës, por ka zgjedhur të përfaqësohet nga avokati i tij, Plarent Ndreca.
Në seancë mungoi edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e cila përmes mbrojtjes kërkoi shtyrjen e gjykimit, duke paraqitur raport mjekësor. Sipas avokatit Gurali Brahimllari, Xoxa ka sjellë në jetë fëmijën me ndërhyrje kirurgjikale dhe ndodhet në leje lindjeje për 63 ditë.
Avokati deklaroi se, për shkak të gjendjes shëndetësore, klientja e tij nuk është në gjendje të komunikojë lirisht me mbrojtësit për të garantuar një mbrojtje efektive. Në deklaratën e saj, Xoxa ka kërkuar pezullimin e gjykimit gjatë periudhës së lejes së lindjes dhe ka bërë të ditur se nuk autorizon avokatët të vijojnë mbrojtjen pa praninë e saj.
“Xoxa ka shprehur qëndrimin e saj pasi në 29 qershor ka kryer lindje me operacion. Për shkak të gjendjes shëndetësore nuk mund të komunikojë lirshëm me mbrojtësit për të kryer një mbrojtje efektive. Ajo kërkon shtyrjen e seancës për gjatë periudhës së lejes së lindjes dhe nuk autorizoi mbrojtësit e mi të vijojnë mbrojtjen pa prezencën time”, tha avokati.
Nga ana tjetër, prokurori i SPAK-ut, Altin Dumani, kundërshtoi kërkesën. Ai theksoi se Kodi i Procedurës Penale parashikon mundësinë e shtyrjes së seancës deri në 15 ditë, ndërsa kërkesa e Xoxës synon pezullimin e procesit deri në përfundim të lejes së lindjes.
Dumani shtoi se shqyrtimi gjyqësor ka nisur që në muajin shtator dhe se Ajola Xoxa nuk ka qenë e pranishme në asnjë prej seancave të zhvilluara deri tani. Për këtë arsye, SPAK kërkoi ndarjen e çështjes ndaj saj dhe vijimin normal të gjykimit për të pandehurit e tjerë.
“Ligji parashikon që seanca mund të shtyhet deri në 15 ditë ndërkohë që e pandehura kërkon pezullim deri në përfundim të lejes së lindjes. Jemi në kushtet ku e pandehura kërkon të jetë në seancë por ky shqyrtim gjyqësor ka nisur që në shtator dhe e pandehura nuk është paraqitur në asnjë seancë. Në këto kushte kërkojmë që çështja e Ajola Xoxës të ndahet më vete dhe të vijoi shqyrtimi normalisht për të pandehurit e tjerë”, tha Dumani.
Mbrojtja e Xoxës kundërshtoi këtë kërkesë, duke argumentuar se nuk synon zvarritjen e procesit, por respektimin e të drejtës për një mbrojtje efektive.
“Ne nuk kërkojmë të shtymë procesin por jemi në shkelje të procedurës penale për më tepër klientja nuk na autorizon të vijojmë mbrojtjen. Kërkojmë të shtymë seancën dhe të pezullohet shqyrtimi. Vlerësojmë se ndarja nuk është ekonomike për gjykatën. Përparësi në këto moment ka mbrojtja efektive e pandehura është në bashkëpunim vlerësojmë se nuk mund të ndahet”, tha avokati Brahimllari.
Pas dëgjimit të palëve, gjykata u tërhoq në dhomën e këshillimit për të marrë një vendim mbi kërkesat e paraqitura.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.







