Veliaj padi në Prokurorinë e Tiranës: Verifikoni kush janë “Nesti Angoni” dhe “Nasta Pëllumbi”. Ndërhyrje në mekanizmin e ndjekjes penale

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka depozituar në Prokurorinë e Tiranës një padi për “kallëzuesit” inekzistentë “Nesti Angoni” dhe “Nasta Pëllumbi”.
Në kërkesën drejtuar Prokurorisë së Tiranës, Veliaj kërkon verifikimin e një dokumenti që, sipas tij, ka shërbyer si bazë për nisjen e procedimit penal nr. 27/2024. Dokumenti mban firmën e një personi të identifikuar si “Nesti Angoni”, emër që – sipas verifikimeve të pretenduara në kallëzim – nuk rezulton në regjistrat e gjendjes civile.
Në kallëzim thuhet se nuk kemi të bëjmë me një denoncim anonim, por me një dokument të paraqitur si kallëzim i rregullt, me identitet dhe nënshkrim, çka sipas Veliajt synon të krijojë një bazë të besueshme për nisjen e hetimeve. Ai pretendon se një praktikë e tillë përbën falsifikim dhe cenon procesin ligjor të ndjekjes penale.
Një tjetër pikë që ngrihet në padi, lidhet me standardet e SPAK për pranimin e kallëzimeve penale. Sipas kallëzimit, në këtë rast mund të jetë devijuar nga këto standarde, pasi dokumenti në fjalë nuk paraqitet si kallëzim i mirëfilltë dhe lidhet me një identitet të dyshuar si të rremë.
Veliaj sjell në vëmendje edhe një rast të dytë të ngjashëm, të lidhur me emrin “Nasta Pëllumbi”, duke ngritur dyshime për përdorimin e identiteteve të sajuara ose për një burim të vetëm që qëndron pas këtyre materialeve.
Në kallëzim theksohet se çështja nuk ka vetëm dimension penal, por edhe institucional, pasi përdorimi i dokumenteve të dyshuara si të falsifikuara për të nisur hetime ndaj një zyrtari të zgjedhur mund të ndikojë në funksionimin e institucioneve dhe në balancat demokratike.
Në përfundim, kryebashkiaku kërkon nisjen e një procedimi penal për falsifikim dokumentesh, identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në hapjen e çështjes ndaj tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




