Velipoja ndriçim miqësor me mjedisin, inxhinieri Sadiku: Teknologjia LED uli koston e energjisë së shpenzuar
Ndriçimi publik në Velipojë do të vijojë të përmirësohet në prag të sezonit turistik. Sipas inxhinierit të ndërmarrjes së shërbimeve publike, Elsid Sadiku, ndërhyrjet janë pjesë e një plani më të gjerë për modernizimin e infrastrukturës në këtë zonë bregdetare.
“Velipoja ka një interes të veçantë për ne. Do të kemi mundësi të punojmë jo vetëm në periudhën para sezonit, që të kemi sa më mirë të ndriçuar plazhin tonë turistik si për banorët ashtu dhe për turistët”, deklaroi Elsid Sadiku.
Bashkia Shkodër po fokusohet jo vetëm në shtimin e pikave të ndriçimit, por edhe në përmirësimin e cilësisë së tyre përmes teknologjisë LED. Sipas të dhënave, nga rreth 1 milion euro që shpenzohen për energjinë elektrike, kursimet arrijnë në afro 250 mijë euro falë përdorimit të ndriçimit LED.
“Ky investim nuk është thjesht për të rritur numrin e ndriçuesve por edhe eficencën e tyre. Ne vit pas viti fokusohemi te cilësia e ndriçimit. Bashkia Shkodër konsumon rreth 1 mln euro energji elektrike vetëm për ndriçimin rrugor. Ne kemi arritur të kursejmë vetëm për investimet e organizuara gjatë këtyre 3 viteve. Kemi kursyer diku te 200-250 mijë euro. Kjo ka ardhur si pasojë e përdorimit të ndriçuesve LED”, shtoi ai.
Këto investime pritet të ndikojnë pozitivisht në imazhin e Velipojës si një destinacion turistik, duke ofruar më shumë siguri, komoditet dhe standarde bashkëkohore për vizitorët.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




