Vendimi i ri i qeverisë, krijohet “Grupi Akselerator” për përshpejtimin e projekteve me rëndësi të veçantë ose që kanë vështirësi të mëdha tekniko-ligjore

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim, i cili sjell ndryshime të rëndësishme në Rregulloren e funksionimit të qeverisë. Qëllimi kryesor i vendimit, i cili të premten është botuar edhe në Fletoren Zyrtare, është përshpejtimi i procesit të miratimit të akteve ligjore dhe nënligjore që konsiderohen me rëndësi të veçantë ose që kanë vështirësi të mëdha tekniko-ligjore.
Ndryshimi thelbësor është krijimi i një strukture të re të quajtur “Grupi Akselerator”.
Si do të Funksionojë “Grupi Akselerator”?
Sipas vendimit, ky grup do të organizojë takime bashkërenduese-konsultative, të cilat do të shërbejnë për të zgjidhur shpejt problemet dhe paqartësitë që dalin gjatë hartimit të projekt-akteve prioritare. Këto takime synojnë shmangien e zvarritjeve burokratike.
Përbërja dhe roli:
• Kryesohet nga Zëvendëskryeministri.
• Pjesë e Grupit janë Ministri/at propozues të projekt-aktit, zyrtarë të lartë të Kryeministrisë, si dhe Ministri apo titullari i institucionit që ka ngritur shqetësime teknike apo ligjore.
• Në varësi të çështjes, mund të thirren edhe ekspertë të jashtëm ose titullarë institucionesh për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjeve përfundimtare.
Ministri propozues ka detyrimin të bëjë shënimin përkatës në dokumentin shoqërues, duke e vlerësuar projektaktin si “të rëndësisë së veçantë dhe me prioritet shqyrtimi”.
Nëse strukturat e tjera gjatë shqyrtimit ndeshen me vështirësi ligjore, ato mund të kërkojnë organizimin e këtij takimi të grupit akselerator për t’i dhënë zgjidhje.
Vendimi specifikon se rezultatet e diskutimit në këtë grup duhet të reflektohen me korrektësi në përmbajtjen përfundimtare të projekt-aktit, përpara se ai të dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




