Vendimi i ri- Ndryshon trajtimi ushqimor për punonjësit e Policisë së Shtetit, ushqim falas ose 500 lekë për drekën, ja kush përfiton 900 lekë në ditë

Qeveria ka miratuar rregullat e reja për trajtimin me ushqim të punonjësve të Policisë së Shtetit, duke përcaktuar qartë rastet kur ata përfitojnë ushqim të gatuar dhe rastet kur do të kompensohen financiarisht.
Vendimi i Këshillit të Ministrave, i propozuar nga Ministri i Brendshëm, sjell një skemë të re pagesash që shkojnë nga 500 deri në 900 lekë në ditë, në mungesë të mensave.
Sa do të paguhen policët për ushqimin?
Sipas pikës 3 dhe 5 të vendimit, “në rastet kur shërbimi i ushqimit nuk mund të realizohet përmes mensave apo kateringut, punonjësit e policisë do të marrin vlerën në para, e cila do t’u kalojë direkt në llogarinë bankare”. Tarifat e miratuara janë:
• 500 lekë/ditë, për normën “një vakt drekë” (për orar normal pune 8-orarësh).
• 900 lekë/ditë, për normën “tri vakte” (për angazhime të gjata).
Një detaj i rëndësishëm është se “këto vlera nuk do të jenë statike; ato do të indeksohen çdo vit bazuar në inflacionin e publikuar nga INSTAT”.
Kush përfiton dhe kur?
Vendimi ndan qartë kategoritë e përfitimit bazuar në orët e punës dhe llojin e shërbimit:
1. Një vakt (drekë), e përfitojnë të gjithë punonjësit me orar normal pune prej 8 orësh.
2. Tri vakte (mëngjes, drekë, darkë), e përfitojnë punonjësit që janë në gatishmëri, në shërbime për ruajtjen e rendit, në procese zgjedhore, emergjenca civile, fatkeqësi natyrore ose tubime, kur puna zgjat më shumë se 8 orë.
Gjithashtu, me tri vakte do të trajtohen edhe punonjësit e Qendrës së Edukimit Fizik dhe Sporteve Elitare, si dhe studentët/kursantët e Akademisë së Sigurisë kur trajnimi zgjat më shumë se një ditë.
Të ndaluarit dhe emigrantët
Vendimi përfshin edhe kategoritë e personave të ndaluar. Sipas vendimit, “ushqim falas (tri vakte) do të ofrohet edhe për shtetasit e huaj që hyjnë ilegalisht, të kthyerit nga vendet e tjera, si dhe të arrestuarit që ndodhen në dhomat e paraburgimit të policisë deri në sqarimin e pozitës së tyre.”
Kur hyn në fuqi?
Ky vendim shfuqizon atë të vitit 2017, por efektet financiare të tij (pagesat e reja) do të fillojnë të zbatohen nga 1 janari 2026. Fondet do të mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Brendshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




